Ç’po ndodh në vendin “një hap” larg pushtimit putinist, nëse bie Ukraina, radhën e Moldavia?
“Ka njerëz me katër ose pesë fëmijë që fjalë për fjalë nuk kanë asgjë për të ngrënë,” shpjegoi Ala, një nga protestueset. Presidentja e Moldavisë Maia Sandu deklaroi se më shumë se 70% e të ardhurave familjare në Moldavi shpenzohen për faturat e energjisë. Ala thotë se gjysmën e pensionit e shpenzon për faturat e energjisë, shkruan BBC.
Kremlini u përgjigj se autoritetet moldave po përpiqen të largojnë vëmendjen nga dështimet e tyre sociale dhe ekonomike me akuza të tilla. Moldavia është e varur nga gazi rus dhe Moska e ka përgjysmuar furnizimin me Moldavinë gjatë vitit të kaluar, duke ushtruar presion mbi qeverinë në Kishinau. Protestat për shkak të rritjes së çmimit të gazit dhe energjisë elektrike filluan vjeshtën e kaluar.
Presidentja Sandu tha javën e kaluar se Rusia tashmë ishte përpjekur të destabilizonte situatën në Moldavi duke shkaktuar një krizë energjetike, e cila sipas saj pritej të shkaktonte pakënaqësi të madhe në mesin e popullatës dhe të çonte në protesta të dhunshme.
Ajo shtoi se plani i ri përfshin “diversantë me stërvitje ushtarake, të cilët do të kryenin veprime të dhunshme, do të kryenin sulme në ndërtesat e institucioneve shtetërore apo edhe do të merrnin pengje”.
Ditët e fundit, pas kontrolleve nga shërbimet e sigurisë, 57 personave nga vendet miqësore me Rusinë, përfshirë një grup tifozësh futbolli serbë dhe disa boksierë nga Mali i Zi, iu refuzua hyrja në Moldavi.
“Nëse Ukraina bie, radhën e Moldavia”
Hapësira ajrore e Moldavisë gjithashtu u mbyll papritur për disa orë këtë javë. “Është shumë e qartë se Rusia është shteti agresor”, tha për BBC Rosian Vasiloi, kreu i policisë kufitare të Moldavisë. Ai tha se kërcënimi ekziston që nga 24 shkurti, kur filloi lufta në Ukrainë, por theksoi se “tash është ndryshe; është një përzierje e kërcënimeve nga Moldavia dhe jashtë”.
Për sa kohë që Ukraina vazhdon të luftojë dhe të fitojë luftën, ai beson se rreziqet për Moldavinë janë më të ulëta. “Nëse Ukraina bie, Moldavia është në rradhë,” vazhdoi ai, duke vënë në dukje se “ai nuk ka frikë”.
Që nga fillimi i luftës, qeveria moldave është përpjekur të diversifikojë burimet e energjisë të vendit dhe ta çlirojë vendin nga varësia nga gazi rus, por sulmet ndaj infrastrukturës ukrainase dhe kostoja e importit të energjisë elektrike nga Rumania nuk e kanë lehtësuar situatën.
“Rusia mund të pushtojë Moldavinë në gjysmë dite”
Sandu parashikoi se një komplot i mundshëm rus do të mbështetej në “forcat e brendshme” si partia opozitare Sor dhe i bëri thirrje parlamentit të miratojë ligje më të ashpra sigurie. Marina Tauber, zyrtare e partisë proruse, e cila drejtoi protestën para parlamentit, thotë se partia e saj nuk është kundër BE-së dhe dëshiron marrëdhënie të mira me të gjitha partitë.
Megjithatë, disa anëtarë të partisë së saj pranojnë se do të mirëprisnin ndërhyrjen ruse. Një prej tyre është Iurieja Berenchi, një këshilltare partie në qytetin Orhei, një orë me makinë në veri të kryeqytetit Kishinau. “Ne nuk kemi frikë, sepse nëse Rusia do të donte të pushtonte Moldavinë, do ta kishte bërë për gjysmë dite”, thotë ajo.
“Do të ishim më mirë me Rusinë”
Ajo i përgjigjet pa mëdyshje pyetjes nëse do ta mirëpriste ndërhyrjen ruse. “Me Rusinë do të ishim shumë më mirë se tani”, është e bindur ajo.
Por shumë njerëz në Kishinau i shohin lidhjet më të ngushta me Perëndimin si një mënyrë për të siguruar pavarësinë dhe demokracinë e Moldavisë në një kohë kritike.
Partia e Presidentes Sandu ka një shumicë solide në parlament. Megjithatë, grumbullimi masiv i djeshëm i protestuesve para parlamentit është dëshmi se ekziston rreziku që presioni të rrisë ndarjet në shoqërinë heterogjene moldave.