Daullexhiu, talenti 17-vjeçar që po fiton besimin e Arbrit te Tomori
Sulmuesi 17-vjeçar i Tomorit, Krios Daullexhiu, ka shënuar dy gola dhe po fiton besimin e trajnerit Klodian Arbri, sipas Panorama Sport.
Në fitoren e fundit të kampionatit, me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Këlcyrës, një nga tre autorët e golave për Tomorin ishte edhe sulmuesi i ri vendas, Krios Daullexhiu. Vetëm 17 vjeç, ai është një prej talenteve që po spikasin në skuadrën beratase, pasi ka fituar gradualisht besimin e trajnerit Klodian Arbri.
Pasi u dallua në ekipet e moshave të klubit, Daullexhiu u bë pjesë e skuadrës së parë në këtë sezon futbollistik, edhe në kuadër të rregullores së re që parashikon aktivizimin e detyrueshëm të futbollistëve të rinj. Megjithatë, paraqitjet e tij kanë kaluar pritshmëritë fillestare. Herë si titullar dhe herë si zëvendësues, sulmuesi ka treguar cilësi dhe pjekuri përtej moshës, duke fituar jo vetëm besimin e stafit teknik, por edhe mbështetjen e shokëve të skuadrës.
Gjatë shtatë javëve të para të kampionatit, 17-vjeçari ka dhënë sinjale pozitive në çdo aktivizim, duke fituar edhe simpatinë e sportdashësve beratas. Deri tani, ai ka realizuar dy gola, të cilët kanë spikatur për mënyrën dhe finesën e ekzekutimit.
Pas fitores dhe golit të shënuar ndaj Këlcyrës, Daullexhiu ka folur për “Panorama Sport”, duke ndarë kënaqësinë për momentin që po kalon, por edhe ambiciet për të ardhmen. Talenti i Tomorit thekson se për të suksesi i skuadrës vjen gjithmonë përpara atij personal dhe se synimi i tij është të punojë fort për t’u shndërruar në një futbollist të rëndësishëm.
“Fitorja është në radhë të parë dhe më e rëndësishme sesa suksesi im personal. Kjo më kënaq, për sa kohë i shërbej skuadrës dhe fitoj me fanellën e Tomorit. Si debutues, jam ambientuar shumë shpejt me skuadrën e të rriturve. Këtë ma kanë lehtësuar jo vetëm trajneri Arbri, i cili më ka dhënë besim dhe mbështetje maksimale, por edhe shokët e skuadrës, që më ndihmojnë shumë në fushë.
Nuk mund të lë pa përmendur edhe njeriun e familjes sime, ish-sulmuesin e njohur Estref Daullexhiu, i cili më ka promovuar në futboll dhe më këshillon vazhdimisht për mënyrën se si duhet të stërvitem dhe të përmirësohem si sulmues.
Dua të punoj sa më shumë dhe të bëhem një futbollist i rëndësishëm në të ardhmen, duke u promovuar fillimisht te Tomori. E kam nisur mbarë këtë rrugëtim, me dy gola në shtatë javë, por ju siguroj se ky është vetëm fillimi”, ka përfunduar talenti 17-vjeçar i Tomorit, Krios Daullexhiu.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.