Ndryshim marshi te fierakët, Kajolli: Apolonia, në korsinë e pretendentëve
Nga Edi Spahiu, Panorama Sport: Ndryshimet pozitive që kanë ndodhur te skuadra e Apolonisë janë reflektuar në dy javët e fundit të kampionatit, nëpërmjet rezultateve pozitive që kanë lënë pas hijen e rëndë të tri humbjeve radhazi.
Këto rezultate kanë mbushur me besim të gjithë ambientin brenda dhe përreth skuadrës fierake, menjëherë pasi në drejtimin e saj erdhi tekniku beratas Santiliano Dule. Gjithçka është shndërruar në kahun pozitiv, duke ndryshuar dhe motivuar aktualisht ambientin, si brenda skuadrës, ashtu edhe te faktorët mbështetës të saj. Këta të fundit po besojnë gjithnjë e më shumë te përmbysja e situatës së vështirë që kaloi Apolonia, pas rezultateve negative që kulmuan me tri humbje radhazi.
Por, me katër pikët e mbledhura në dy javët e fundit, është rritur ndjeshëm besimi dhe optimizmi se shumë shpejt Apolonia do të vendoset në korsinë e skuadrave pretendente, duke e cilësuar si të rikuperueshme diferencën aktuale me skuadrat pretendente. Këtë besim e ka shprehur së fundi edhe një prej shtyllave kryesore të skuadrës fierake, qendërmbrojtësi i ri dhe me perspektivë, Andi Kajolli. Për talentin dhe personalitetin që ka shfaqur në fushën e lojës dhe jashtë saj, shumë specialistë e konsiderojnë talentin fierak si një nga pasardhësit më të denjë të brezit të artë të futbollistëve të repartit të mbrojtjes te fierakët, që i përket brezit të shquar të viteve 1980-1990.
Për “Panorama Sport”, lideri i repartit të prapavijës, Andi Kajolli, është shprehur mjaft optimist për ndryshimin e madh që po reflektohet te Apolonia, por më së shumti edhe për konkurrencën midis skuadrave pretendente të grupit B në javët në vazhdim, ku pjesë e kësaj beteje do të jetë edhe Apolonia.
“Pas javës së gjashtë të kampionatit, mund të themi me plot bindje se situata te Apolonia është shumë herë më ndryshe nga sa u prezantuam në katër javët e para. Tani kemi rigjetur ekuilibrin e plotë dhe merita është padiskutim e teknikut tonë Dule, që është një njohës perfekt i grupit të futbollistëve. Por, me grintën që e karakterizon dhe aftësitë e tij të spikatura profesionale, na ka rikthyer besimin. Kjo është vërtetuar me rezultatet pozitive që kemi arritur në dy javët e fundit, duke ndalur edhe skuadrën kryesuese të grupit në fushën e saj.
Pikërisht nga ky barazim i fundit që arritëm në Ballsh, kemi marrë të gjithë motivimin e nevojshëm për të vazhduar me këtë ecuri, por mbi të gjitha për të besuar te mundësitë tona reale. Në mënyrë që të besojmë te rikuperimi i diferencës me dy vendet e para të grupit, pasi ecuria jonë është një sinjal i qartë për kundërshtarët tanë të grupit se, në korsinë e skuadrave pretendente, duhet të llogarisin edhe Apoloninë. Tani ne do të punojmë vetëm për këtë objektiv dhe rrugëtimi ynë do të synojë vetëm fitore, duke nisur nga ndeshja e radhës me Albpetrolin në shtëpi.
Ndërsa, në planin personal, më duhet të pohoj se po punoj shumë që të jem në lartësinë e liderit të mbrojtjes. Së bashku me shokët e skuadrës, që janë futbollistë të rinj dhe premtues, i kemi të gjitha mundësitë që, nën drejtimin e teknikut Santiliano Dule, i cili na ka shoqëruar nga ekipet e zinxhirit, të hapim një cikël të ri për të pasuar brezin e artë të futbollistëve të Apolonisë, që në vitet ’80 bënë të mundur historinë e futbollit fierak”, ka përfunduar qendërmbrojtësi i talentuar 19-vjeçar Andi Kajolli.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.