Politika

Debatet në grupin e PD-së për plehrat, shpërthen Bode: Po mbështesim kauzën e së majtës ekstreme

Vendimi i demokratëve dje për të bllokuar ligjin e plehrave ishte unanim, por kjo çështje nuk ka kaluar pa debat mes deputetëve, ku një pjesë e tyre janë shprehur se PD-ja ka pasur qëndrim të luhatur dhe jo të qartë për këtë çështje. Burime për “GSH” brenda mbledhjes së grupit të PD-së bëjnë me dije se deputetët Ridvan Bode, Arben Imami, Genc Pollo, Eduart Selami dhe Astrit Patozi janë shprehur kritikë për ndryshimin e qëndrimit të PD-së dhe se po mbështet një kauzë të së majtës ekstreme.

“Na gjeti të papërgatitur ky ligj, sidomos mua. Unë jam pro referendumit, sepse e kemi kapur në situatë shumë të vështirë Edi Ramën. Por, a jemi ne për ndërprerjen totale të riciklimit? Kjo nuk është kauza jonë. Është kauzë e së majtës. Vërtete mund të themi që e kishim gabim, por duhet të kemi kujdes kur i hipim trenit, duhet të dimë se në cilin stacion do zbresim. Jemi të paqartë, se ne kemi votuar. Shqetësimi kryesor është sa larg do ta çojmë këtë kauzë se ne jemi parti e djathtë. Jam dakord me z.Bode në këtë rast dhe nuk mund ta kemi kauzë. Përse ishte gabim? Nuk bindem se e kishim gabim”, është shprehur z.Selami.

Deputeti tjetër demokrat, Genc Pollo mësohet të jetë shprehur se populli duhet çuar në protesta për dekriminalizimin dhe drogën.

“Ekologjia është hap nga e majta, por është adaptuar nga qendra e djathtë. Populli duhet të çohet për dekriminalizimin, drogën. Ne jemi në fushatë dhe po e bëjmë pjesë të fushatës. Në Rumani dolën në protesta, se qeveria gënjeu për deficitin. Çështja është hipokrizia e Ramës dhe tradhtia”, mësohet të ketë thënë z.Pollo.

Por, deputeti Astrit Patozi ka shprehur mendimin se PD-ja duhet t’i bashkohet protestës të së shtunës, pavarësisht se organizatorët janë të spektrit të majtë, por ai nuk ka lënë pa kujtuar se PD-ja nuk mund të vijë në pushtet vetëm me protesta për mbetjet.

“Me lëvizjen për plehrat do i shkaktojmë një plagë dhe pse të mos e shfrytëzojmë? Nuk ka një debat ideologjik në vend, kështu që kot të shqetësohemi, e majta apo e djathta. Këtu diskutohet a do të ketë votë dhe a do të ketë zgjedhje.

Nëse qeveria tradhton kauzën, ne duhet t’i trajtojmë si etalon të tradhtisë. Le të jenë të majtë shoqëria civile, ne do të bashkohemi me ata. Nuk ka rëndësi se çfarë bëjmë pas kësaj kauze. Ka një zemërim popullor prej tradhtisë që po ju bëjnë. Por, me protesta për plehra nuk vijmë në pushtet”, deklaroi z.Patozi.

Edhe Arben Imami ka mbrojtur idenë se kauza është e së majtës, por kreu demokrat, Lulzim Basha ka bërë të ditura arsyet pse PD kërkon referendum dhe se do të mbështesë protestën e së shtunës. Ndërsa, kritikave të disa prej deputetëve se çështja e plehrave është kauzë e së majtës, Basha iu përgjigj: “Demokracia pjesëmarrëse është kauza e të gjitha kauzave. Kjo e mbetjeve është njëra prej tyre, përderisa ka një vullnet popullor”.

Debati me dyert të në grupin e PD-së

Lulzim Basha: Të nderuar deputetë, ne sot duhet të vendosim zyrtarisht për hapat që do të ndjekim për bllokimin e ligjit të plehrave. Siç e kam thënë, ligji i mbetjeve që kaluam 4 vite më parë ishte disiplinimi i mbetjes së plehrave, ishte kuadër rregullator për eliminimin e mbetjeve. Ishim në kontekste krejt të ndryshme nga kjo e sotmja. Tani çështjen do ta çojmë për referendum. Përse do ta çojmë në referendum? Sepse ne dëgjojmë zërin e qytetarit. Sepse konteksti është fondamentalisht ndryshe, vullneti popullor është kundra dhe se rrethanat që kanë të bëjnë me sigurinë e vendit janë krejt të ndryshme.

Edi Paloka: Çështja e parë që diskutohet janë plehrat. Me Edi Ramën nuk ka njeri dyshim që këtë ligj e ka sjellë për diçka të pistë. Ne jemi parti popullore, kemi fituar edhe me 70 për qind, jemi parti që kemi qenë edhe më socialë se ata andej. Ne duhet të vazhdojmë të ndjekim frymën popullore. Rama s’e ka fare problem ta bëjë ta bëjë Shqipërinë një vend plehrash. Sot kjo është fryma popullore që ne duhet ta marrim me vete për çështje elektorale. Ata janë të lidhur me Ramën, por nuk ka rëndësi, ne duhet ta marrim kauzën.

Sali Berisha: Unë kam pasur qëndrim timin që të mos dal kundër kërkesës për referendum, por duhet pasur kujdes me sistemim e materialeve.

Lulzim Basha: Edhe OJQ-të na janë mirënjohëse që po i mbështesim.

Ridvan Bode: Kjo nuk është kauza jonë. Kjo është kauza e së majtës ekstreme. Duhej të ishte partia agrare që ta merrte këtë çështje. Ne duhet të bëjmë shumë kujdes që të bëhemi të besueshëm.

Lulzim Basha: Ne duhet të kemi unanimitet në këtë çështje, kemi arsye që dalim në këtë qëndrim. Së pari, se rrethanat e sotme diktojnë një qëndrim absolut, njësoj siç bëmë me moratoriumin e skafeve kur ishim në qeveri dhe ndaluam trafikun e qenieve njerëzore. Reduktuam pothuajse në zero trafikun e lëndëve narkotike, benefitet i panë qytetarët shqiptarë. Anëtarësimi në NATO, lëvizja pa viza e qytetarëve shqiptarë ishin benefite të drejtpërdrejta.

Edhe pse vendimi ishte i fortë, por absolutisht i justifikuar. Së dyti, qeveria nuk kontrollon dot ushqimin, dyert e doganave janë porta të hapura për krimin, armë, drogë, ku ndërtohen pista me avionë, si do t’i besojmë këtij njeriu për mosfutjen e helmeve?! Së treti, sa i përket industrisë ricikluese që po e përdorin mish për top pasi e falimentuan, pasi e goditën, pasi e gjobitën, po e përdorin si arsyen për këtë ligj. Industria ricikluese ka një punë të madhe për të bërë në Shqipëri para se t’u drejtohet plehrave të Europës. Industria ricikluese nuk ka bërë akoma as 17% të punës me mbetjet në Shqipëri. Ka 83% të punës për të bërë. Ky është pretekst për të sjellë helme në Shqipëri.

Asllan Dogjani: Çështja është shumë e prekshme. Janë shtuar shumë të sëmurët e rinj nga kanceri që tani pa parë plehra, që është problem i madh. Veç referendumit, sugjeroj që në protestën e tyre t’i mbështesim edhe ne; s’ka gjë, le ta marrin ata meritën. Sepse vetëm frika prej njerëzve mund ta ndalë këtë qeveri.

Lulzim Basha: T’i çojmë njerëzit në protestë, por jo deputetët, se biem në sy.

Arben Imami: Nëse e kemi kauzë, t’i dalim në ballë, por edhe kauzë, edhe jashtë, nuk funksionon.

Eduart Selami: Na gjeti të papërgatitur ky ligj, sidomos mua. Unë jam pro referendumit sepse e kemi kapur në situatë shumë të vështirë Edi Ramën. Por, a jemi ne për ndërprerjen totale të riciklimit? Kjo nuk është kauza jonë. Është kauzë e së majtës. Vërtet mund të themi që e kishim gabim, por duhet të kemi kujdes kur i hipim trenit, se duhet të dimë në cilin stacion do zbresim. Jemi të paqartë, se ne kemi votuar. Shqetësimi kryesor është sa larg do ta çojmë këtë kauzë, sepse ne jemi parti e djathtë. Jam dakord me z.Bode në këtë rast dhe nuk mund ta kemi kauzë. Përse ishte gabim? Nuk bindem se e kishim gabim.

Arben Imami: A është kjo çështja më e rëndësishme që kemi?

Lulzim Basha: Kjo çështje do të dominojë.Astrit Patozi: Me lëvizjen për plehrat do i shkaktojmë një plagë dhe pse të mos e shfrytëzojmë. Nuk ka një debat ideologjik në vend, kështu që kot të shqetësohemi e majta apo e djathta. Këtu diskutohet a do të ketë votë dhe a do të ketë zgjedhje. Nëse qeveria tradhton kauzën, ne duhet t’i trajtojmë si etalon të tradhtisë. Le të jenë të majtë shoqëria civile, ne do të bashkohemi me ata. Nuk ka rëndësi se çfarë bëjmë pas kësaj kauze. Ka një zemërim popullor prej tradhtisë që po u bëjnë, por me protesta për plehra nuk vijmë në pushtet.

Edmond Spaho: Unë si qytetar nuk e pranoj që ta kenë riciklimin më lehtë nga jashtë. Nuk ka rëndësi e majtë, apo e djathtë, është vullneti qytetar. Riciklimi le të punojë me mbetjet e vendit. Ne kemi edhe gjëra të tjera, por këtë s’duhet ta lëmë, ashtu siç ndërroi mendim BE.Kozma Dashi: Vendim është i qartë, për referendum. Kastriot Islami: Unë jam pro.

Genc Pollo: Ekologjia është hap nga e majta, por është adaptuar nga qendra e djathtë. Populli duhet çuar për dekriminalizimin, drogën. Ne jemi në fushatë dhe po e bëjmë pjesë të fushatës. Në Rumani dolën në protesta se qeveria gënjeu për deficitin. Çështja është hipokrizia e Ramës dhe tradhtia.

Lulzim Basha: Demokracia pjesëmarrëse është kauza e të gjitha kauzave. Kjo e mbetjeve është njëra prej tyre, përderisa ka një vullnet popullor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button