Rajoni

Degjenerojnë në akte dhune protestat në Greqi

Ashtu siç edhe pritej, kanë degjeneruar në akte dhune protestat e sindikatave greke të zhvilluara në Athinë dhe Selanik.

Grupe ektremistësh anarkistë hodhën gurë dhe bomba molotov kundër forcave të rendit, të cilat u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe granata shpërthyese.

Përleshjet u zhvilluan në sheshin “Sindagma” dhe në rrugët Panepistimiu dhe Stadhiu, si dhe në sheshin “Omonia”.

Prej sulmit të anarkistëve, u dëmtuan disa vitrina dhe shumë trotuare, pllakat e të cilëve u kthyen në “armë” sulmi prej anarkistëve kundër forcave të policisë.

Përleshjet vazhduan për gati një orë, ndërsa qendra e Athinës është nën efektin mbytës të kimikateve të përdorura prej policisë.

Grupet anarkiste iu drejtuan sheshit të lagjies Eksarqia, ku rreth 300 prej tyre mbajnë nën tension situatën.

Policia thotë se ka disa të ndaluar lidhur me aktet e dhunës në Athinë. Përleshje dhe akte dhune u shënuan edhe në protestat e tjera në qytetet e mëdha, kryesisht në Selanik, ku qindra protestues u përleshën me forcat e rendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button