Deliu: I kam kërkuar SPAK hapjen e zyrave në rrethet! Duhet një grup i posaçëm arrestimi
Ish-deputeti i PS-së, Denis Deliu, deklaroi se gjatë mandatit të tij si anëtar i Komisionit të Ligjeve dhe Sigurisë Kombëtare ka kërkuar vazhdimisht që Byroja Kombëtare e Hetimit të hapë zyra në rrethet problematike, ku policia përballet me vështirësi në luftën kundër krimit. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN ai tha se ligji për BKH-në i jep mundësinë dhe detyrimin institucionit, në bashkëpunim me SPAK-un, të krijojë struktura të tilla në qarqet problematike.
“Sipas ligjit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, SPAK dhe BKH kanë detyrim dhe mundësinë që të hapin zyra në rrethe problematike dhe unë si deputet i komisionit të ligjeve dhe sigurisë kombëtare për 4 vite me radhë ia kam kërkuar që të hapen zyra të BKH në rrethe problematike, ku policia ka hasur vështirësi”, tha Deliu në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Ai tha se përgjigja që mori në atë kohë nga SPAK ishte se po e mendonte dhe të krijonte një grup për arrestimin siç e ka FBI amerikane, që e përdor për shpejtësi dhe sekret hetimor.
“Përgjigja në atë kohë ishte që SPAK po e mendon dhe të krijonte një grup për arrestimin siç e ka FBI amerikane, që e përdor për shpejtësi dhe sekret hetimor”, tha ai.
Sipas tij, aktualisht BKH, për arsye sigurie, është e detyruar të njoftojë Policinë e Shtetit për operacionet që zhvillon, por kjo zgjat zinxhirin e informacionit dhe mund të rrisë rrezikun e dekonspirimit.
“Për sa i përket BKH-së, në çdo rast, për të mos rrezikuar personelin e saj, njofton Policinë e Shtetit. Por zinxhiri i informacionit është shumë i gjatë dhe mund të ketë rrezik dekonspirimi”, theksoi Deliu.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.