Demaku i përgjigjet Haxhiut: As PDK-ja nuk do koalicion me LVV-në, por kërkon të procedohet ligji për Specialen
Deputeti i PDK-së Fadil Demaku tha në Rubikon të Klan Kosovës se as partia e tij nuk dëshiron koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, por i kërkoi LVV-së që të procedojë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Demaku, ka kritikuar qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj situatës politike në vend pas aktgjykimit dënues në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, siç njofton Klan Kosova.
Ai i është kundërpërgjigjur deklaratave të fundit të kryeparlamentares Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se VV-ja nuk dëshiron koalicion me PDK-në. Në intervistën për emisionin Rubikon në Klan Kosova, Demaku tha se as PDK-ja nuk dëshiron asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, por kërkoi nga partia e Albin Kurtit që të procedojë sa më parë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
«Ne i kemi qëndrimet e tyre që çdo ditë e thonë se ne nuk duam koalicion me PDK-në, edhe ne ju themi se nuk duam asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Ne mund të bëjmë hapa që janë në interes të qytetarëve dhe të vendit tonë. Një hap i tillë është që të tejkalohet situata, do të thotë të kemi një marrëveshje politike në kuptimin që Ligji të procedohet sa më shpejt sepse është nevojë urgjente për Kosovën dhe pastaj çështja e presidentit», tha ai për Klan Kosovën.
Demaku deklaroi se VV-ja nuk duhet ta kushtëzojë PDK-në dhe Ligjin për Specialen me çështjen e presidentit. Sipas tij, ligji nuk është obligim për PDK-në, por në radhë të parë për ata që i kanë numrat dhe që kanë përgjegjësi shtetërore, raporton Klan Kosova.
«Mos të na kushtëzojnë neve, sepse Ligji nuk është obligim për PDK-në, por në radhë të parë është për ata që i kanë numrat dhe që kanë përgjegjësi shtetërore. Ne nuk e kemi privatizuar ligjin. Këtu asgjë nuk përfiton PDK-ja, por përfitojnë qytetarët e Kosovës», tha ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.