🌧️
Tiranë 13°C · Shi i lehtë 26 Nëntor 2026
S&P 500 7,183 ▼0.25%
DOW 50,183 ▲0.33%
NASDAQ 23,586 ▼0.62%
NAFTA 84.15 ▲0.56%
ARI 3,618 ▲1.49%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.0960 EUR/GBP 0.8364 EUR/CHF 0.9172 EUR/ALL 89.8084 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6684 EUR/TRY 55.5585 EUR/JPY 174.49 EUR/CAD 1.5667 EUR/USD 1.0960 EUR/GBP 0.8364 EUR/CHF 0.9172 EUR/ALL 89.8084 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6684 EUR/TRY 55.5585 EUR/JPY 174.49 EUR/CAD 1.5667
₿ CRYPTO
BTC $60,010 ▼ -0.06% ETH $1,683 ▼ -0.13% XRP $0.9336 ▲ +0.69% SOL $70.3200 ▲ +0.44%
S&P 500 7,183 ▼0.25 % DOW 50,183 ▲0.33 % NASDAQ 23,586 ▼0.62 % NAFTA 84.15 ▲0.56 % ARI 3,618 ▲1.49 % S&P 500 7,183 ▼0.25 % DOW 50,183 ▲0.33 % NASDAQ 23,586 ▼0.62 % NAFTA 84.15 ▲0.56 % ARI 3,618 ▲1.49 %
EUR/USD 1.0960 EUR/GBP 0.8364 EUR/CHF 0.9172 EUR/ALL 89.8084 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6684 EUR/TRY 55.5585 EUR/JPY 174.49 EUR/CAD 1.5667 EUR/USD 1.0960 EUR/GBP 0.8364 EUR/CHF 0.9172 EUR/ALL 89.8084 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6684 EUR/TRY 55.5585 EUR/JPY 174.49 EUR/CAD 1.5667
26 Nën 2026
Breaking
Kosova

Gërvalla: Në Kosovë janë vrarë tetë gra për dhjetë muaj, rasti i Arlinda Zekajt kërkon përgjigje të plota

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar-tetor 2026 në Kosovë janë vrarë tetë gra, ndërsa janë evidentuar 2 mijë e 303 raste të dhunës në familje, me gjithsej 2 mijë e 361 viktima, prej të cilave 1 mijë e 797 gra dhe vajza.

Këto të dhëna Gërvalla i ka bërë publike të martën mbrëma, në ceremoninë hapëse të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë.

Në fjalimin e saj, ajo është ndalur edhe te vrasja e Arlinda Zekajt, duke thënë se rasti i saj duhet të marrë përgjigje të plota dhe se duhet të shqyrtohet çdo vendim dhe mosveprim që mund të ketë ndikuar në mbrojtjen e jetës së saj.

“Rasti i znj. Arlinda Zekajt na përball me këto pyetje. Si Ministre e Drejtësisë, e konsideroj detyrim që ato të marrin përgjigje të plota. Duhet të shqyrtohet çdo vendim dhe çdo mosveprim që mund të ketë ndikuar në mbrojtjen e saj”, ka deklaruar Gërvalla.

Ajo ka theksuar se shqyrtimi i këtij rasti kërkon seriozitet, paanshmëri dhe gatishmëri për t’i pranuar dështimet eventuale institucionale.

“Familja e saj meriton përgjigje, djali i saj meriton përgjigje. Gratë që sot jetojnë në rrezik kanë nevojë që nga këto përgjigje të dalin ndryshimet e nevojshme”, ka thënë ministrja.

Gërvalla ka vënë në pah se sfida kryesore për institucionet nuk përfundon me raportimin e dhunës, por vazhdon me mënyrën se si ato reagojnë dhe sa arrijnë t’i mbrojnë viktimat.

Sipas saj, një grua që vendos ta raportojë dhunën shpesh ka kaluar një periudhë të gjatë në frikë dhe pasiguri, duke menduar për fëmijët, strehimin, të ardhmen dhe nëse institucionet do ta besojnë rrëfimin e saj.

Prandaj, ajo ka thënë se thirrja për raportimin e dhunës duhet të shoqërohet me përgjegjësi institucionale dhe me garanci se çdo kërkesë për ndihmë do të trajtohet me seriozitet.

“Kur i themi ‘Raporto dhunën’, duhet ta kuptojmë peshën e këtyre fjalëve. Po i kërkojmë thjesht të na besojë. T’i besojë Qendrës për Punë Sociale, policisë, Mbrojtësit të viktimave, prokurorisë, gjykatës dhe të gjitha instancave tjera. T’i besojë shtetit se do ta mbrojë. Dhe këtë besim, zonja dhe zotërinj, duhet ta meritojmë”, ka deklaruar ajo.

Ministrja ka theksuar se institucionet përgjegjëse duhet të bashkëpunojnë më ngushtë, pasi informacioni që posedon një institucion mund të jetë vendimtar për veprimin e një institucioni tjetër.

Sipas saj, policia, prokuroria, gjykatat, shërbimet sociale, mbrojtësit e viktimave dhe strehimoret kanë përgjegjësi të ndryshme, por të gjitha duhet të punojnë për sigurinë e të njëjtit person.

“Një grua që është duke u përpjekur të dalë nga dhuna nuk duhet të marrë përsipër edhe koordinimin e institucioneve tona. Këtë detyrë e kemi ne, na takon neve”, ka theksuar Gërvalla.

Ajo ka paralajmëruar se në rastet me rrezik të lartë, vonesat mund të kenë pasoja të rënda, prandaj vlerësimi i rrezikut, shkëmbimi i informacionit dhe zbatimi i masave mbrojtëse duhet të jenë pjesë e reagimit të përditshëm institucional.

Në këtë drejtim, Gërvalla ka përmendur edhe Strategjinë e re Kombëtare 2027-2031, e cila, sipas saj, do të synojë të adresojë problemet konkrete në sistem, përfshirë vonesat në reagim, mungesën e shërbimeve dhe paqartësitë rreth përgjegjësive institucionale.

Ajo ka thënë se për secilën masë duhet të përcaktohet institucioni përgjegjës dhe mënyra se si do të vlerësohen rezultatet.

Gërvalla ka theksuar gjithashtu se mbështetja për viktimat nuk duhet të përfundojë pas raportimit të dhunës. Ato mund të kenë nevojë për strehim, ndihmë juridike, mbështetje psikologjike dhe mundësi ekonomike për të rindërtuar jetën e tyre.

Në këtë kontekst, ajo ka përmendur ndihmën juridike falas dhe kompensimin e viktimave, ndërsa ka vlerësuar se edhe trajtimi psikosocial i kryerësve të dhunës ka rëndësi në parandalimin e përsëritjes së saj, krahas përgjegjësisë për veprimet e tyre.

Në një pjesë të fjalimit, ministrja ka bërë thirrje që lufta kundër dhunës ndaj grave të mos shihet vetëm si çështje e grave, por si përgjegjësi e gjithë shoqërisë, duke kërkuar përfshirjen aktive të burrave.

“Nga fjalimet e natës së sotme, 3 gratë, Presidentja, Kryetarja e Kuvendit, Koordinatorja për Dhunë në Familje, mund të krijohet përshtypja edhe sonte që kjo është çështje e grave. Por pa ju të nderuar vëllezër, pa ju të nderuar zotërinj, nuk do të mund ta fitojmë betejën kundër dhunës ndaj grave”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka ftuar burrat që të përkrahin këtë angazhim me dijen dhe mundësitë e tyre, duke theksuar se çdo sukses në këtë drejtim është një hap përpara në luftën kundër dhunës.

Ministrja është ndalur edhe te rëndësia e parandalimit, duke thënë se duhet të kundërshtohen mendësitë që e ushqejnë dhunën, përfshirë bindjen se dikush ka të drejtë të kontrollojë jetën e një gruaje dhe presionin që ajo të heshtë për ta mbajtur familjen të bashkuar.

Gërvalla u ka drejtuar një mesazh edhe grave dhe vajzave që përballen me dhunë, duke theksuar se ato nuk duhet ta ndiejnë veten fajtore për atë që u ndodh.

“Grave dhe vajzave që përballen me dhunë dua t’u them: dhuna nuk është faji juaj, nuk është përgjegjësia juaj. Kur kërkoni mbrojtje dhe jetë të sigurt, ju kërkoni vetëm atë që ju takon”, ka deklaruar ajo.

Në fund të fjalimit, ministrja ka shprehur mirënjohje për profesionistët dhe organizatat që punojnë çdo ditë me viktimat e dhunës, duke thënë se përvoja e tyre duhet të dëgjohet dhe puna të mbështetet edhe më shumë.

Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se ushqimet, lulet dhe shallet me ngjyrë portokalli të përgatitura për ceremoninë e së martës janë punuar nga gratë që vuajnë dënimin në burgjet e Lipjanit dhe Prishtinës.

Sipas Gërvallës, ato i kanë përgatitur këto punime në shenjë solidariteti me Arlinda Zekajn dhe të gjitha gratë që përballen me dhunë në familje dhe në shoqëri.

Fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” synon të rrisë ndërgjegjësimin për parandalimin e dhunës, mbrojtjen e viktimave dhe përgjegjësinë institucionale e shoqërore në luftimin e saj. Gërvalla ka theksuar se ky angazhim nuk duhet të kufizohet vetëm në 16 ditët e fushatës, por duhet të vazhdojë çdo ditë të vitit./Telegrafi.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.