Demokracia e të pazëvendësueshmëve

Për më shumë se tri dekada kemi votuar kryesisht kundër individëve, partive dhe qeverive, me shpresën se largimi i tyre do sillte edhe fundin e mënyrës si jemi qeverisur. Por sa herë kemi ndryshuar emrat, aq herë kemi zbuluar se mekanizmi që i bën ata kopje të njëri-tjetrit ka mbetur i pandryshuar.
Sistemi ynë shpërblen ata që i përshtaten dhe nxjerr jashtë loje ata që përpiqen ta ndryshojnë atë ose që, së paku, përpiqen të mos ndryshojnë integritetin e tyre.
Sa më gjatë drejtuesit tanë qëndrojnë në pushtet, aq më shumë e sofistikojnë këtë sistem. Ata që vijnë pas, në vend që ta çmontojnë, zbulojnë se është shumë më e leverdishme ta ruajnë dhe ta trashëgojnë.
Sepse pushteti në Shqipëri nuk është vetëm çështje politike por, mbi të gjitha, është edhe marrëdhënie ekonomike.
Në një ekonomi të lirë njerëzit pasurohen, në përgjithësi, duke prodhuar, duke krijuar vlerë, duke investuar dhe duke marrë përsipër rrezikun e sipërmarrjes.
Në sistemin tonë nuk ka nevojë për asgjë nga këto se mjafton të jesh në vendin “e duhur” dhe siguron leje ndërtimi, kontrata publike, koncesione dhe favore të tjera që vlejnë më shumë se vite të tëra pune dhe se çdo investim në vend tjetër.
Në sistemin tonë vlera e biznesit përcaktohet më shumë nga marrëdhënia e biznesmenit me vendimmarrësin sesa nga aftësia e tij për të prodhuar e konkurruar.
Në këtë sistem, qeveria nuk është më vetëm mjeti me të cilin qeveriset vendi, por vetë modeli i biznesit.
Transparency International, në studimin “Zbërthimi i kapjes së shtetit në Shqipëri”, ka dokumentuar raste të ndikimit të interesave të veçanta mbi vendimmarrjen publike, përfshirë ligjet e bëra me porosi.
Në kapjen e shtetit, korrupsioni merr një formë më të sofistikuar: kalohet nga pagesa për të shkelur ligjin pa u dënuar tek hartimi i ligjit për t’i shërbyer interesit privat.
Komisioni Evropian në raportin e vitit 2025 për Shqipërinë thotë se ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura kanë përkeqësuar mbrojtjen e natyrës, ndërsa zgjatja e përsëritur e ligjit për investimet strategjike deri në vitin 2027 vazhdon të ngrejë shqetësime për ndikimin mbi këto territore.
Dhe kur një pasuri e tërë krijohet nga privilegji, ajo patjetër mund të shndërrohet në një fuqi ekonomike që kërkon të ndikojë vendimmarrjen politike për ta ruajtur atë.
Kështu ndërtohet një marrëdhënie ku pushteti politik dhe interesat ekonomike ushqejnë njëri-tjetrin.
Privilegji nuk kënaqet me përfitimin e radhës dhe kërkon vazhdimësi. Dhe vazhdimësia sigurohet jo vetëm duke mbajtur pranë ata që marrin vendime, por edhe duke ruajtur një sistem politik ku ndryshimi i njerëzve nuk kërcënon mënyrën si shpërndahen përfitimet.
Kësisoj, përfitimi ekonomik dhe karriera politike kanë të njëjtin interes që rregullat të mbeten ato që janë, sepse njëri ruan avantazhin në treg, tjetri vendin në politikë. Ndërsa qytetarëve u shitet ideja se konkurrenca funksionon në të dyja.
Me pushtet nuk kuptoj vetëm qeverinë, se ne vazhdojmë ta trajtojmë opozitën sikur të ishte jashtë pushtetit. Pushtet kanë edhe ata që nuk janë pjesë e shumicës qeverisëse.
Qenia deputet është pushtet, i cili të jep të drejtën për të propozuar ligje, për të kërkuar llogari, për të kontrolluar qeverinë dhe për të përfaqësuar qytetarët. Dhe është një pushtet që paguhet nga qytetarët.
Komisioni Evropian, në raportin e vitit 2025, konstaton se kontrolli parlamentar mbi qeverinë mbetet i dobët dhe se shumica e nismave ligjore vazhdojnë të vijnë nga Këshilli i Ministrave.
Katër nga njëmbëdhjetë komisionet e përhershme parlamentare drejtohen nga opozita. Pra, instrumentet e kontrollit ekzistojnë, edhe pse mund të mos jenë të mjaftueshme.
Dhe nëse opozita në parlament nuk arrin ta ushtrojë siç duhet këtë funksion, ajo nuk mund të justifikohet me numrin e pamjaftueshëm të votave, por duhet të japë edhe ajo llogari për mënyrën si e përdor aq pushtet sa i është besuar.
Dhe nëse për vite me radhë një forcë politike nuk arrin të prodhojë ndryshim politik dhe nga ana tjetër ruan drejtuesit, mandatet dhe përfitimet e veta, atëherë kemi të drejtë të pyesim se kujt po i shërben?
Sepse kontrolli i opozitës është një formë pushteti, madje pushtet që mund të ruhet për vite të tëra edhe pa fituar zgjedhjet, pa qeverisur dhe pa mbajtur përgjegjësi të drejtpërdrejtë për rezultatet e qeverisjes. Sidomos kur qytetari gjendet përballë të njëjtave figura dhe të njëjtave struktura që vendosin se kush ka të drejtë të përfaqësohet.
Në një demokraci, opozita duhet të jetë mundësia e ndryshimit dhe kur ajo kthehet në një privilegj që duhet ruajtur, pavarësisht rezultateve, atëherë bëhet pjesë e problemit që pretendon të zgjidhë.
Kjo sigurisht që nuk e barazon përgjegjësinë e qeverisë me atë të opozitës, sepse qeveria i administron drejtpërdrejt burimet dhe vendimet publike, por asnjë mandat parlamentar nuk mund të përjashtohet nga përgjegjësia për mënyrën si ushtrohet.
Kjo është ironia e madhe e demokracisë sonë. Ata që qeverisin kërkojnë kohë për të vazhduar atë që kanë nisur. Ata që janë në opozitë kërkojnë kohë për t’i rrëzuar ata që janë në pushtet.
Dhe të dyja palët kërkojnë kohën e fëmijëve tanë, vetëm që të mbeten të pazëvendësueshëm në politikë.
E kësisoj, ndoshta nuk është sistemi që i mban peng politikanët tanë. Janë politikanët tanë që e mbajnë peng sistemin. Sepse një sistem që u siguron privilegje edhe atyre që e drejtojnë, edhe atyre që premtojnë ta rrëzojnë, nuk ka pse të ndryshojë.
Në fund të fundit, pse të ndryshosh një sistem që të shpërblen edhe kur dështon?
Shpërndaje te miqtë



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.