Dëmshpërblim 100% për bizneset e vogla të dëmtuara nga protestat, zv.ministri Keputa: Nisin në janar, shuma do t’u kërkohet shkaktarëve
Komisioni i Ekonomisë miratoi këtë të martë Aktin Normativ për dëmshpërblimin e biznesit të vogël të dëmtuar, në masën 100% të vlerës së dëmit të shkaktuar nga protestat studentore gjatë muajit tetor.
Në Komisionin e Ekonomisë, zëvendësministri i Ekonomisë, Mario Keputa, deklaroi se shteti do të dëmshpërblejë bizneset e dëmtuara nga protestat dhe se më pas do ta kërkojë këtë shumë nga ata që e kanë shkaktuar dëmin. Ndërkohë, kompensimi financiar i bizneseve pritet të nisë në janar të vitit 2027.
“Parimi është i qartë, shteti e dëmshpërblen biznesin e dëmtuar pa asnjë faj, dhe më pas e kërkon këtë shumë nga ai që e ka shkaktuar. Brenda 30 ditëve do të bëhet verifikimi i dëmeve, brenda 30 ditëve të tjera bëhet pagesa drejt në llogarinë bankare”, tha zëvendësministri.
Sipas zëvendësministrit, janë 126 biznese që kanë raportuar në tatime një dëm që ka arritur në 3.59 milionë euro, por kjo nuk është vlera që do të kompensohet e gjitha, pasi do të verifikohet edhe nga administrata tatimore. Sakaq, ai shtoi se, nga ky akt do të përfitojnë vetëm bizneset e vogla të dëmtuara nga datat 13-22 tetor.
“Administrata tatimore e krahason kërkesën me të dhënat që biznesi ka deklaruar vetë, me ato të vitit 2025, pastaj verifikohet që dëmi lidhet me ngjarjen e atyre ditëve. Eksperti i licencuar verifikon dëmin, ministria merr vendimin dhe pagesa kalon në llogari. Akti mbulon biznesin e vogël me xhiro deri në 14 milionë lekë, sipas deklaratës së vitit 2025. Shteti do të kompensojë biznesin dhe më pas do të kërkojë nga Avokatura e Shtetit kthimin e shumës nga ata që e kanë shkaktuar dëmin, fillimisht vullnetarisht dhe më pas deri në gjykatë. Për një biznes të vogël, dëmi nuk mbaron te vitrina, malli apo pajisjet, pasi kur veprimtaria ndërpritet është një dëm i dytë ekonomik, nga rrogat e punonjësve, detyrimet e furnitorëve apo këstet e kredisë që vazhdojnë ndërkohë që të ardhurat ndërpriten”, tha Keputa.
Ndërkohë, deputeti i PS-së, Erion Braçe, kërkoi të përfshihen në skemën e dëmshpërblimit edhe ndërmarrjet shtetërore dhe fatura të paguhet nga protestuesit e dhunshëm.
“Ka një muaj që rrugët e Tiranës janë pa semaforë, është rrezik. Është cenuar rendi publik në Tiranë. Nuk mund të paguajë bashkia çdo gjë. Shërbimi i pastrimit është jetik, ndryshe qelbemi, apo ndriçimi duhet të rikuperohen, zyrat e shtetit duhet të kthehen në funksion të plotë. A janë evidentuar këta njerëzit që kanë shkaktuar dëme apo jo? Nëse i shkoni parimit që dhunuesi paguan, bëjeni efektive, sepse akti është efektiv, kur dhunuesi, shkatërruesi apo djegësi paguan”, u shpreh Braçe.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.