Denis Bizhga: Investimi në art dhe kulturë është investim për të ardhmen e shoqërisë
Dhjetë vjet më parë, “Albania International Guitar Festival” nisi si një iniciativë e dedikuar kitarës klasike. Këtë vit festivali shënon edicionin e tij të dhjetë dhe konsiderohet një nga aktivitetet e rëndësishme muzikore në vend, duke sjellë në Shqipëri artistë të njohur nga skena ndërkombëtare. Pas këtij rrugëtimi qëndron kitaristi Denis Bizhga, themelues dhe drejtor artistik i festivalit, i cili prej një dekade punon për ta mbajtur këtë festival ndërkombëtar si pjesë të kalendarit kulturor në vendin tonë. Në intervistën për gazetën “SOT”, Denis Bizhga flet për sfidat dhe rrugëtimin e dhjetë viteve të “Albania International Guitar Festival”, ndikimin e tij në jetën kulturore të vendit dhe rëndësinë, që kanë aktivitetet artistike për zhvillimin e kulturës dhe turizmit.
Por ndërsa flet për rrugëtimin e këtij festivali që ka sjellë në skenë artistë të skenave ndërkombëtare, kitaristi Denis Bizhga ashtu si dhe të tjerë artistë më parë thekson edhe rëndësinë, që ka investimi në art dhe kulturë. Gjatë këtyre dhjetë viteve, “Albania International Guitar Festival” që po vijon me koncerte ka mirëpritur disa nga kitaristët dhe pedagogët më në zë të kitarës klasike në botë. Kitaristi nga Gjermania Goran Krivokapic mbrëmjen e 22 majit hapi edicionin e 10-të të “Albania International Guitar Festival” në Tiranë, ndërsa më 25 maj, festivali mirëpriti kitaristen turke dr. Ayşegül Koca, ku në vijim të tjerë artistë do të jenë në skenë me koncertet e tyre. Festivali këtë vit vijon deri më datë 22 qershor me aktivitete në Tiranë, por dhe në qytete të tjera në vend.
-Këtë vit “Albania International Guitar Festival” feston 10-vjetorin. Çfarë përfaqëson ky jubile për ju personalisht dhe profesionalisht?
Ky edicion është përmbledhja e 10 viteve pasion dhe dedikim për kitarën klasike. Në aspektin profesional, kemi arritur që skenën e festivalit ta prekin disa nga artistët më të mëdhenj të kitarës klasike në botë, kurse në aspektin personal është një rrjet miqësish që ndërtohet çdo vit.
-Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha gjatë këtij rrugëtimi 10-vjeçar?
Festivalet muzikore janë aktivitete kulturore që kërkojnë mbështetje nga faktori vendas dhe i jashtëm. Ndërgjegjësimi i faktorit vendas është gjithmonë sfidë, sepse shpesh nuk kuptojnë rëndësinë e aktiviteteve të këtij niveli. Realizimi i ngjarjeve kulturore ndërkombëtare sjell audienca të reja nga jashtë.
-Për cilat arritje të festivalit ndiheni më krenar sot?
Ndjehem krenar, që tashmë festivali është një skenë e rëndësishme e kitarës në nivel europian. Këto parametra janë lehtësisht të matshëm falë dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare, që festivali ka patur gjatë viteve të fundit.
-Si ka ndryshuar publiku shqiptar ndaj muzikës së kitarës klasike gjatë kësaj dekade?
Mund të them që kemi krijuar ndjekësit tanë dhe dashamirësit e kitarës klasike. Publiku besnik ka patur mundësi të njihet me nivelin e lartë të artistëve, që kanë qenë pjesë e festivalit.
-Ju zhvilloni një festival ndërkombëtar, që sjell në skenë artistë të njohur, por sipas jush, sa e rëndësishme është që Shqipëria të ketë aktivitete artistike me pjesëmarrje ndërkombëtare?
Ardhja e këtyre artistëve në Shqipëri është një mundësi e mirë në promovimin e vendit tonë, si faktor turistik dhe pse jo e një turizmi kulturor.
-Ju si themelues i këtij festivali, shpesh e keni lidhur atë edhe me promovimin e trashëgimisë kulturore. Sa e rëndësishme është kjo ndërthurje mes muzikës dhe identitetit kulturor?
Mendoj që është një lidhje natyrale ajo e muzikës dhe objekteve të trashëgimisë tonë kulturore. Koncertet që zhvillojmë në këto destinacione ndikojnë drejtpërdrejtë në promovimin dhe konservimin e tyre.
-Në një epokë të dominuar nga rrjetet sociale dhe teknologjia, pse mbeten të rëndësishme koncertet live?
Koncertet live do të jenë gjithmonë të rëndësishëm, sepse interpretimi njerëzor gjithmonë do të dominojë mbi teknologjinë. Ndjeshmëria e një artisti mbi instrument krijon një magji, që mjetet teknologjike nuk mund ta arrijnë.
-A mendoni se Shqipëria ka nevojë për më shumë aktivitete artistike të këtij niveli? Pse?
Aktivitete të tilla kanë rëndësi, sepse sjellin cilësi artistike dhe ndikojnë drejtpërdrejtë në publik. Më vijnë ndërmend fjalët e rilindasit tonë, Sami Frashëri, “Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër dhe grurë, nëse do të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim e kulturë”. Aktivitete të tilla ndikojnë shumë në rritjen e një brezi më të përgjegjshëm e të kulturuar.
-Pse mendoni se investimi në art dhe kulturë është investim për të ardhmen e një shoqërie?
Praktikat më të mira perëndimore kanë treguar, që investimi në art kthehet në disa forma të ndryshme. Artet janë aftësi individuale, të cilat nëse kultivohen në mënyrën e duhur sjellin një univers të panjohur krijimtarish.
– Si ka ndikuar përvoja juaj si kitarist në mënyrën se si drejtoni festivalin?
Fakti i të qënit dhe instrumentist e ka bërë më të lehtë përzgjedhjen e programacionit vjetor të festivalit. Rrjeti i bashkëpunëtorëve është tashmë shumë i gjerë dhe kjo e lehtëson procesin organizativ.
– Ju jeni drejtori artistik dhe themeluesi i një festivali që po vijon prej dhjetë vitesh në vendin tonë. Sa e vështirë është të mbash gjallë një festival ndërkombëtar, në kushtet e tregut kulturor shqiptar?
Është e vështirë, sepse siç u shpreha dhe më sipër, shpesh faktori vendas nuk e kupton rëndësinë e aktiviteteve ndërkombëtare. Kur një artist i madh vjen, bashkë me të vjen dhe audienca e tij, e cila përkthehet në publik, faktor rajonal, turizëm dhe ekonomi. Realizimi i 10 edicioneve të “Albania International Guitar Festival” ka qenë një sfidë, pasion, miqësi, kultivim brezash, promovim i vendit dhe ndikim kulturor. Një ndihmë të madhe ka dhënë dhe media juaj, gazeta “Sot”, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovim të festivalit dhe kulturës në vendin tonë.
Intervistoi: Juljana Vrapi




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.