Xhemaili, Vetëvendosjes: Qeveri e turpit, e dështimit dhe e hajnave
Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeverisë, duke i akuzuar për keqqeverisje dhe duke ngritur pretendime për mënyrën e trajtimit të rasteve të korrupsionit.
Përmes një reagimi publik, Xhemaili ka deklaruar se përfaqësuesit e Vetëvendosjes janë përfshirë nga paniku dhe frika, duke pretenduar se po garojnë mes vete për t’i shërbyer Dejonës.
“Këta të Vetëvendosjes, në panik e nga frika prej asaj çka i pret nga lideri i tyre suprem këtë ditë, kanë eskaluar totalisht duke u shtyrë se kush po ia bën argatin më shumë Dejonës”, ka shkruar Xhemaili.
Ai ka kritikuar edhe kryeprokurorin e ri, duke pretenduar se në vend që të përqendrohet në trajtimin e krimeve dhe rasteve të rënda, emërimi i tij u ka shërbyer zyrtarëve të Vetëvendosjes.
Sipas Xhemailit, Fitore Pacolli, Faton Peci dhe Liburn Aliu kanë njoftuar për pushimin e hetimeve ndaj tyre për korrupsion, zhvillim të cilin ai e ka lidhur me emërimin e kryeprokurorit të ri.
“Në të njëjtën kohë, në vend që kryeprokurori i ri të fokusohej te qindra krime në ditë që ndodhin në të gjitha sferat dhe te rasti i rëndë i fundit, emërimi i tij ia paska bërë argatin Fitore Pacollit, Faton Pecit e Liburn Aliut, të cilët njoftuan se paskan pushuar hetimet ndaj tyre për korrupsion”, ka deklaruar ai.
Zëdhënësi i AAK-së ka shtuar se, sipas tij, Vetëvendosja ka arsye të frikësohet nga Aleanca.
“E po, keni të drejtë që po frikësoheni nga Aleanca. Qeveri e turpit, qeveria e dështimit!”, ka shkruar Xhemaili.
Në fund, ai e ka akuzuar Qeverinë për korrupsion, duke e cilësuar si “qeveri e hajnave”, që, sipas tij, sakrifikon disa zyrtarë për t’i mbrojtur të tjerët.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.