Dënohet me tre vjet burg hajduti që preu me thikë hartën 350-vjeçare nga atlasi i muzeut në Greenwich
Melvin West preu nga atlasi i vitit 1684 hartën e botës «Nova Orbis Tabula» të hartografit holandez Frederick de Wit dhe e fshehu në rroba; harta ende nuk është gjetur, ndërsa atij iu ndalua për 10 vjet të qëndrojë vetëm në sallat e leximit të muzeve dhe bibliotekave në Angli dhe Uells.
Një hajdut arti është dënuar me tre vjet burg në Londër, pasi preu me thikë një hartë 350-vjeçare nga një atlas i shekullit XVII në Bibliotekën Caird të Muzeut Kombëtar Detar në Greenwich. Siç njofton Policia Metropolitane e Londrës, Melvin West u dënua të enjten, më 22 tetor, nga Gjykata e Kurorës në Woolwich, pasi ishte deklaruar fajtor më 19 maj në Gjykatën e Magjistratëve në Bromley për vjedhje, dëmtim kriminal dhe mbajtje të një mjeti prerës.
Gjykata i vendosi West-it edhe një urdhër 10-vjeçar të sjelljes kriminale (Criminal Behaviour Order), që i ndalon të qëndrojë vetëm në çdo sallë leximi të muzeve dhe bibliotekave në Angli dhe Uells. Hetimi kishte nisur më 26 shkurt 2025, kur personeli i bibliotekës gjeti një thikë të vogël në dysheme, nën tavolinën që West e kishte përdorur atë mëngjes. Atlasi i shtypur në vitin 1684, të cilin ai e kishte shfletuar, rezultoi i prerë: mungonte njëra nga 12 hartat e tij, pikërisht «Nova Orbis Tabula», harta e famshme e botës me dy hemisfera e hartografit holandez Frederick de Wit.
Sipas policisë, West e kishte vizituar bibliotekën edhe tri herë më parë, i regjistruar me emrin «Melville West», ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë e treguan duke e prerë hartën nga libri me thikën e vogël dhe duke e fshehur në rroba. Hetuesit e Njësisë së Artit dhe Antikave të Policisë Metropolitane e identifikuan si një hajdut me disa dënime të mëparshme në Europë për vjedhje faqesh nga libra të rrallë antikë. Ai u arrestua më 4 mars 2025 në Chingford dhe gjatë marrjes në pyetje iu përgjigj shumicës së pyetjeve me «pa koment».
Harta e vjedhur ende nuk është gjetur dhe kërkimet për vendndodhjen e saj vazhdojnë. «U bëjmë apel të gjithë atyre që kanë dijeni për vendndodhjen e hartës të bëjnë gjënë e duhur dhe të kontaktojnë Policinë Metropolitane, që ajo të kthehet në bibliotekë», tha detektivja Sophie Hayes nga Njësia e Artit dhe Antikave, duke e quajtur Bibliotekën Caird «një burim me rëndësi ndërkombëtare, që përdoret nga studiues nga e gjithë bota». Edhe Muzeumeve Mbretërore të Greenwich-it, përmes një zëdhënësi, shprehën kënaqësinë që çështja penale, në të cilën bashkëpunuan ngushtë me policinë, u mbyll.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.