FOKUS – Stambolli mikpret bisedime të nivelit të lartë për krizat rajonale të sigurisë
STAMBOLL, 23 tetor /ATSH-DPA/ – Diplomatë të nivelit të lartë nga Evropa dhe Lindja e Mesme pritet të takohen sot në Stamboll për të diskutuar mbi disa konflikte aktuale, përfshirë tensionet me Iranin, luftën në Jemen dhe pengesat në transportin detar ndërkombëtar.
Takimi, i organizuar nga ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, do të mbledhë homologët e tij nga Gjermania, Franca, Britania, Egjipti, Pakistani dhe Arabia Saudite.
Sipas burimeve nga qeveria gjermane, diskutimet do të përqendrohen në situatën në ngushticën e Hormuzit, kërcënimet që vijnë nga Irani, konfliktin në Jemen dhe ndikimin e tij në transportin detar, si dhe në sulmet e milicisë Houthi të Jemenit ndaj Arabisë Saudite.
Fidan planifikon të ngrejë gjithashtu çështjen e situatës në Rripin e Gazës, zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor dhe dhunën e ushtruar nga kolonët izraelitë ndaj palestinezëve.
”Ministri i Jashtëm turk synon të kërkojë një reagim të vendosur nga komuniteti ndërkombëtar dhe rritje të presionit ndaj Izraelit”, raportoi AA.
Në agjendë do të përfshihen gjithashtu pengesat në eksportet e drithërave përmes Detit të Zi, të shkaktuara nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Këto dërgesa janë jetike për furnizimin me ushqim në shumë vende të Jugut Global.
Sipas zyrtarëve gjermanë, takimi u iniciua nga politikani gjerman Johann Wadephul dhe Hakan Fidan, me qëllim dhënien e një shtyse të re përpjekjeve për zgjidhjen e konflikteve të ngecura dhe zbutjen e ndikimit të tyre në Evropë e më gjerë – përfshirë pasojat si rritja e çmimeve të energjisë./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.