Kronika

Detyrimi për kreditet, rastet kur rrezikoni humbjen e vitit

Pranvera Kola

Vjeshta dhe qëndrimet në pritje për sezonet e viteve pasardhëse janë të pashmangshme nëse studenti nuk siguron nivelin minimal të krediteve të kërkuara për të kaluar në vitet pasardhëse. Sipas kushteve të vendosura në ligjin e arsimit të lartë, niveli i kërkuar i krediteve për të kaluar vitin e parë është 30.

Në rast se kandidati ka më pak se ky detyrim minimal i krediteve, duhet të presë sezonet e vjeshtës për të dhënë provimet e lëndëve të mbetura, për të gëzuar më pas të drejtën e kalimit në vit të dytë. Ndërsa për studentët që janë në prag të mbylljes së ciklit të studimeve 3-vjeccare “Bachelor”, e që kanë kredite të pashlyera përgjatë viteve (deri në një masë të përcaktuar), drejtuesit e dekanateve kanë të drejtë që të përcaktojnë sezone shtesë vetëm për këtë kategori. Ekspertët e arsimit të lartë vënë në dukje se referuar rregulloreve të miratuara nga universitetet, studenti kalon nga viti i parë në vitin e dytë, kur ka siguruar të paktën 30 kredite të vitit të parë.

Numri i krediteve minimale që duhen për të kaluar nga viti i dytë po ashtu pëson rritje. Konkretisht, kandidati kalon në vitin e tretë, vetëm kur ka siguruar të paktën 90 kredite, të dy viteve të mëparshme. Ndërsa studenti i vitit të fundit që në përfundim të provimeve të vitit rezulton me 30 kredite të pashlyera, ka të drejtë t’i likuidojë ato në një periudhë të caktuar nga dekanati, përpara sezonit të diplomimit. Studenti që shlyen këto detyrime, më pas lejohet të hyjë në mbrojtjen e diplomës. Në rast të kundërt, i lind e drejta e shlyerjes së krediteve të mbetura në sezonin e riprovimeve të vjeshtës, ndërsa diplomimi bëhet në sezonin e dimrit.

Po sipas këtyre rregulloreve, studenti ka të drejtë që të hyjë në mbrojtjen e diplomës, pasi ka fituar të gjitha kreditet e parashikuara në programin mësimor. Frekuentimi i orëve të mësimit, veçanërisht seminareve do të luajë një rol kyç në kalimin e viteve. Frekuentimi i seminareve është i detyrueshëm deri në masën 75 për qind. Për rastet kur studenti ka marrë pjesë në 50-75 për qind të orëve të seminarit, nuk ka të drejtë të futet në provimin e radhës, por kalon në sezonin e vjeshtës.

Kur studenti ka marrë pjesë në më pak se 50 për qind të orëve të seminarit, i duhet të përsërisë lëndën në vitin e ardhshëm. I detyrueshëm është edhe frekuentimi i punëve laboratorike. Për këto të fundit bëhet me dije se frekuentimi i punëve laboratorike, detyrave të kursit, mësimit praktik dhe mësimit klinik, është i detyrueshëm në masën 100 për qind. Kur studenti nuk ka frekuentuar deri në 25 për qind të punëve laboratorike të çdo lënde, i shlyen ato në dy javët e fundit të vitit në vazhdim, apo semestrit kur lënda është semestrale.

Nëse ka frekuentuar më pak se 75 për qind të tyre, duhet që t’i shlyejë ato në vitin pasardhës. Nëse projektet e kursit nuk shlyhen, studenti nuk hyn në provimin e lëndës. Programet e ciklit të parë të studimit, organizohen me jo më pak se 180 kredite evropiane (ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tyre është tri vite akademike. Sa i takon diplomimit në këto programe të ciklit të parë, në ligjin e arsimit të lartë përcaktohet se studentët mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar, ose punim diplome.

Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë në rregulloren e tyre pragun e notës mesatare, që i jep të drejtë studentit të ciklit të parë të diplomohet duke përgatitur dhe mbrojtur një punim diplome, si dhe atyre që do të kalojnë në provim. Në përfundim të programeve të ciklit të parë lëshohet diploma “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.

Njohja e krediteve kur kërkoni pezullim të përkohshëm të studimeve

 Po sipas ligjit të arsimit të lartë një studenti i lejohet që të ndërpresë studimet e nisura, deri në një periudhë tre vjeçare, duke marrë lejen përkatëse nga dekanati, ndërsa mbi këtë periudhë, krahas një shkaku të mirë-argumentuar duhet edhe miratimi i rektorit të Universitetit Përkatës. Në rregullore përcaktohet se ndërprerja e studimeve fillon që nga momenti i miratimit të lejes nga dekani ose rektori. Midis studentit dhe dekanit ose rektorit, nënshkruhet një marrëveshje për afatin e ndërprerjes së studimeve.

Rikthimi i studentit, pas ndërprerjes së justifikuar të studimeve bëhet në fillim të çdo semestri, por jo më vonë se një muaj nga këto afate. Studentit që ka ndërprerë studimet, i njihen të gjitha detyrimet e shlyera në vitin që është shkëputur. Ai i nënshtrohet detyrimeve të programit mësimor që gjen pas rifillimit të studimeve. Për të garantuar mos-vjetërimin e dijeve dhe azhornimin e tyre nga studentët që kanë ndërprerë përkohësisht studimet, ata i nënshtrohen kontrollit për verifikimin dhe vlerësimin periodik të tyre.  Studentëve të cilëve iu kanë zgjatur studimet për më shumë së tre vjet përtej kohës normale të fitimit të diplomës, për një program të caktuar studimi, para dhënies së tezës së diplomës iu kontrollohen kreditet e fituara, nëpërmjet testimeve përkatëse.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button