Dhjetëra mijëra njerëz marshojnë në Tbilisi për rrugën europiane, në përvjetorin e dytë të pezullimit të bisedimeve me BE-në
Dhjetëra mijëra mbështetës të opozitës marshuan të shtunën në Tbilisi, në përvjetorin e dytë të protestave masive që shpërthyen pasi qeveria gjeorgjiane vendosi të pezullojë bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Europian, siç njofton AFP. Me flamuj të BE-së dhe flamurin kombëtar gjeorgjian, protestuesit mbushën sheshin kryesor të kryeqytetit.
Tubimi u thirr nga aktivistë pro-europianë dhe pesë parti opozitare, të cilat rrezikojnë të ndalohen me kërkesë të partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane në Gjykatën Kushtetuese. Protestuesit kërkojnë zgjedhje të reja parlamentare dhe lirimin e demonstruesve të burgosur. “Duhet të tregojmë se nuk do të përkulemi para presionit dhe se do të vazhdojmë të luftojmë për të ardhmen europiane të Gjeorgjisë për aq kohë sa të duhet”, i tha AFP-së protestuesja Natela Mujiri, 48 vjeçe, muzikante.
Kriza politike në vend vijon që nga zgjedhjet e kontestuara parlamentare të tetorit 2024. Një muaj më pas, kryeministri Irakli Kobakhidze njoftoi se bisedimet me BE-në do të ngriheshin deri të paktën në vitin 2028, gjë që nxiti demonstrata në gjithë vendin, të shtypura me dhunë nga policia. Pavarësisht arrestimeve masive, gjobave të rënda dhe legjislacionit gjithnjë e më kufizues, protestuesit kanë dalë çdo ditë në rrugët e Tbilisit.
Organizatorët thanë se Ëndrra Gjeorgjiane “ka tradhtuar rrugën europiane dhe euroatlantike të Gjeorgjisë, të cilën vetë e ka sanksionuar në kushtetutë”. Nga ana e tij, Kobakhidze deklaroi të premten se qeveria e tij mbetet e përkushtuar ndaj “objektivit kushtetues” të anëtarësimit në BE dhe është “gati të nisë bisedimet e anëtarësimit që sot”.
Sipas Amnesty International, mijëra protestues janë përballur me ndalime arbitrare dhe gjoba gjatë dy viteve të fundit, qindra kanë raportuar tortura ose keqtrajtim dhe më shumë se 150 janë burgosur pas proceseve të padrejta e të motivuara politikisht. Këtë javë u falën shtatë protestues të burgosur. Gjykata Kushtetuese nisi muajin e kaluar shqyrtimin e kërkesës së partisë në pushtet për ndalimin e pesë forcave kryesore opozitare dhe pritet të vendosë deri në qershor 2027; Parlamenti Europian e ka dënuar këtë nismë, ndërsa Brukseli tha këtë muaj se Gjeorgjia, e cila mori statusin e vendit kandidat në vitin 2023, mbetet kandidate “vetëm në emër”. Anëtarësimi në BE është i sanksionuar në kushtetutën e vendit dhe, sipas sondazheve, mbështetet nga 80 për qind e popullsisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.