Dinamo kërkoi shtyrjen e ndeshjes me Vorën, FSHF ia hedh poshtë! Me Vorën do luhet të dielën
Dinamo do të duhet të zbresë në fushë të dielën ndaj Vorës, pavarësisht kërkesës së klubit për shtyrjen e ndeshjes.
Blutë iu drejtuan zyrtarisht FSHF-së me kërkesën që sfida e javës së parë të kampionatit të zhvillohej në një tjetër datë, për shkak të impenjimit të skuadrës në Ligën e Konferencës. Megjithatë, kërkesa nuk është pranuar dhe takimi do të luhet sipas programit të përcaktuar. Dinamo vjen pas një tjetër kualifikimi në Europë, pasi mposhti Audën në “Elbasan Arena” dhe siguroi një vend në fazën “play-off ” të Ligës së Konferencës.
Blutë do të përballen me Pafosin në këtë fazë, me ndeshjen e parë që është planifikuar të zhvillohet të enjten në “Elbasan Arena”, në orën 21:00.
Në këto kushte, klubi kryeqytetas kërkoi më shumë kohë në dispozicion për përgatitjen e sfidës europiane dhe për të shmangur ngarkesën e një ndeshjeje kampionati vetëm pak ditë më herët. Por vendimi është marrë dhe Dinamo do të luajë të dielën ndaj Vorës, përpara se të përqendrohet plotësisht te përballja me Pafosin.
Në këtë histori rikthehet edhe një episod i sezonit të kaluar, kur palët kishin pasur një përplasje për çështjen e stadiumit.
Vora u kishte kërkuar kundërshtarëve që ndeshja e parë të luhej në stadiumin e tyre, ndërsa e dyta të zhvillohej në shtëpinë e Vorës, sapo stadiumi të ishte bërë gati. Pothuajse të gjitha klubet pranuan këtë ndryshim, me përjashtim të Dinamos, e cila nuk ra dakord për ndryshimin e kalendarit.
Dinamo ka pasur edhe më parë një situatë të ngjashme në startin e sezonit. Në edicionin e kaluar, sfida Dinamo-Teuta ishte programuar që në javën e parë të kampionatit, por ndeshja u shty dy herë dhe përfundoi duke u luajtur disa muaj më vonë.
Këtë herë, megjithatë, nuk do të ketë një shtyrje për blutë. Dinamo do të duhet të menaxhojë ngarkesën e kësaj jave dhe të luajë të dielën ndaj Vorës, përpara sfidës së rëndësishme europiane me Pafosin.
Për skuadrën e Ilir Dajës bëhet fjalë për një periudhë me ngarkesë të madhe, pasi brenda pak ditësh do të duhet të përballojë edhe një ndeshje kampionati dhe një tjetër sfidë europiane, ku në lojë është një tjetër hap drejt fazës së grupeve të Ligës së Konferencës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.