Europa

Diplomacia zvicerane: Njohja e Kosoves nuk ka qene e nxituar

Shefja e diplomacisë zvicerane Micheline Calmy-Rey kërkon që akuzat ndaj Hashim Thaçit të ngritura nga Dick Marty të hetohen urgjentisht.

Në një intervistë për gazetën zvicerane “Tages Anzeiger“, të cilën e transmeton koha.net., lidhur për raportin e Dick Martyt, ajo e mbron njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Zvicra dhe thotë se strategjia e vendit të saj ndaj Kosovës nuk ka qenë e keqe, duke pasur parasysh se për propozimin për pavarësi ndërmjetësi i OKB-së Martti Ahtisaari është shpërblyer edhe me Çmimin Nobel për Paqe.

Duke folur për kërkesën e saj për njohjen e pavarësisë së Kosovës nën kryeministrin Thaçi, Calmy-Rey ka thënë se Deklarata e pavarësisë dhe njohja pastaj nga shumë shtete nuk është çështje që i takon asaj. “Jo unë, por Qeveria ka kërkuar njohjen diplomatike të pavarësisë së Kosovës. Dhe Zvicra nuk ka qenë shteti i parë, por i 30-ti ose i 31-ti që e njohu Kosovën. Para nesh ka qenë Austria, nëse kjo ju qetëson juve. Ne s’kemi vepruar me nguti. Por, sigurisht ne kemi qenë të parët që atëbotë në OKB kemi thënë se duhet të flitet për pavarësinë e Kosovës. Atëherë qëllimi ishte të stabilizohet rajoni”.

E pyetur nëse duket delikate kur udhëheqja e fajësuar e UÇK-së sot përbën majën e shtetit, Calmy-Rey ka thënë se “kjo udhëheqje është zgjedhur nga populli i Kosovës”.

“Nuk jam e sigurt nëse raporti i Martyit do të kishte ndryshuar diçka në rezultat sikur të ishte publikuar para zgjedhjeve të fundit. Përndryshe udhëheqja e Kosovës po përpiqet fuqishëm për raporte paqësore me Serbinë. Këto bisedime mund të vonohen pas raportit të Marty-it”.

Sipas Calmy-Reyt, tani autoritetet përgjegjëse, përfshirë edhe ato ndërkombëtare, duhet të inicojnë hapa juridikë. “Edhe vendet përkatëse dhe sidomos Kosova duhet të ndihmojnë në sqarimin e këtyre akuzave. Në Kosovë duhet të ndërtohet një shtet i sundimit të ligjit dhe kjo nënkupton edhe ballafaqimin me të kaluarën”.

Ndërsa rreth refuzimit që të pranojë një çmim të diasporës kosovare për përpjekjet e për paqe në rajon, Calmy-Rey ka thënë se “duke pasur parasysh publikimin e raportit të Martyit tani nuk ishte momenti i duhur për një ceremoni festive për këtë çmim”. “Për këtë arsye ndarja e paraparë e çmimit është shtyrë”

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button