Rusët godasin me dron konviktin e një shkolle profesionale në Dnipro, plagosen dy vajza 15 dhe 16 vjeçe
Ushtria ruse goditi me dron konviktin e një shkolle profesionale në Dnipro, ku shpërtheu zjarr dhe u dogjën disa dhoma në katin e sipërm, njofton Ukrinform duke iu referuar kreut të Administratës Ushtarake Rajonale të Dnipropetrovskut, Oleksandr Hanzha, i cili e bëri të ditur lajmin në Telegram.
Hanzha njoftoi më pas se nga sulmi u plagosën dy vajza, 15 dhe 16 vjeçe. Sipas tij, ato pësuan një reaksion akut ndaj stresit dhe mjekët u dhanë në vendngjarje gjithë ndihmën e nevojshme.
Kryebashkiaku i Dnipros, Boris Filatov, shkroi në Telegram se në ndërtesën e konviktit të shkollës profesionale nr. 17, e cila goditet nga sulmet ruse për herë të dytë, u thyen mbi 50 dritare. Ai bëri të ditur se zjarri u shua dhe se të rinjtë do të zhvendosen në konvikte të tjera, ndërsa disa prej tyre vendosën të shkojnë në shtëpi.
Filatov theksoi se bëhet fjalë për një shkollë të zakonshme, ku mësojnë tornitorë, kuzhinierë dhe saldatorë të ardhshëm.
Goditja vjen në të njëjtën ditë kur Dnipro u godit te stacioni hekurudhor, ku u vranë 14 njerëz, dhe në qytet është shpallur ditë zie për të nesërmen.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.