Drejtësia, “porta e Herkulit” për të hyrë në BE
Nga Preç Zogaj
Rezoluta konsensuale e së enjtës ishte akti i duhur i Kuvendit në fazën ku ka mbërritur anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Përkundër imazheve me skena dhune e flakë molotovësh, që kanë përcjellë në Bruksel përshtypjen e një vendi ekstremisht të polarizuar nga pikëpamja politike, Kuvendi rikonformoi mesazhin se qeveria dhe opozita, ashtu si shumica dërmuese e qytetarëve shqiptarë, janë të bashkuar në aspiratën dhe përpjekjen për integrimin europian.
Në këtë kontekst, grupi i PD-së bëri një akt në përputhje me një parim specifik sipas të cilit kur është fjala për integrimin opozita duhet të sillet si të ishte qeveri. Nga ana e saj shumica u angazhua të respektojë të drejtat e opozitës, shkelja e të cilave ka qënë një nga burimit e konfrontimeve në Kuvend.
Përtej fjalëve standarde në raste të tilla, Rezoluta i përgjigjet flakë për flakë, në formën e reflektimit, paragrafit të raportit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian në të cilin tejkalimi i polarizimit të brendshëm politik dhe përmirësimi i kulturës politike ishin pjesë e listës së sfidave të Shqipërisë në finalen e kalvarit. Të shohim sa do të mbajë kjo lloj detante.
Në të njëjtën listë sfidash spikasin forcimi i shtetit të së drejtës dhe konsolidimi i reformave kundër korrupsionit.
“Cilësia e reformave të vendit do të përcaktojë afatin kohor të anëtarësimit”, shkruhet si me daltë në të njëjtin raport. Më qartë se kaq! Do të thotë se letrat dhe ligjet janë një gjë. Me rëndësi padyshim. Por ligjet janë zbatimi. Zbatimi është gjithë gjëja. Kush mendon se mjaftojnë letrat do të zhgënjehet.
“Shqipëria duhet të konsolidojë më tej rezultatet konkrete në hetime, ndjekje penale dhe vendime përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta”, thekson raporti i Komisionit. Fjalë të njohura, të thjeshta, të përsëritura, por që në epilogun e ëndrrës së integrimit kanë peshën e fjalës së fundit.
Nëse e përfytyrojnë integrimin si një pallat me shumë porta të cilat i kemi kaluar me sukses një nga një, këto fjalë na çojnë në kuptimin figurativ të fjalës përpara Portës së Herkulit, më të vështirës, që kurorëzon ose jo fundin dhe fitoren e udhëtimit të gjatë.
Shprehjet e paragrafit të sipërcituar mund t’i zëvendësojmë me fjalën SPAK (hetim dhe ndjekje penale) dhe GJKKO (vendimet përfundimtare).
Drejtuesit e Shqipërisë, kryeministri Rama dhe të tjerët pas tij nuk mund të thonë se nuk janë paralajmëruar. Mund të jemi mirë me gjithë të tjerat. Por po të mos jemi mirë me drejtësinë, me ndëshkimin e korrupsionit në nivele të larta nuk ka integrim.
U bënë dy muaj, që kur tek mbronte Belinda Ballukun, kryeministri shkoj më tej dhe u shballancua sa të investonte një përmbysje të narrativës për drejtësinë, sikur problemi në Shqipëri tani është akuza dhe jo korrupsioni. Që nga ajo ditë drejtësia është nën një sulm të gjithanshëm. Që shkon shumë-shumë përtej episodeve me teprime apo gabime të korigjueshme, duke synuar as më pak e as më shumë por delegjitimimin e saj. Kthimin e saj në kohën kur prokurorët i shikonin politikanët e lartë mbi ligjin dhe dridheshin edhe ta çonin nepër mend të hetonin korrrupsionin e tyre.
Paradoksalisht, më saktë logjikisht për raportin që kanë me drejtësinë aktorët e kastës politike plurale solidare, në Rezolutën konsensuale të së enjtes nuk gjeje një shprehje ekpsicite për mbështetjen e SPAK. Megjithëse SPAK është vlerësuar vazhdimisht nga BE si institucioni që i ka prirë përparimit të vendit drejt BE-së. As për GJKKO-në. Gjeje shprehje të përgjithshme, sa për të qenë brenda, që janë thënë edhe para miratimit të Reformës në Drejtësi. Djalli fle në detaje.
E dimë se edhe për arsye gjeopolitike Europa nxiton të zgjerohet me vende kandidate; nxiton të mos ketë xhepa jashtë BE-së brenda perimetrit të saj gjeografik, siç është edhe Shqipëria. Nga kjo pikëpamje Europa edhe mund të lëshojë pe për ndonjë prej standardeve. Por Europa nuk mund ta tradhëtojë popullin me proeuropian të vendeve ish komuniste, duke u dhënë dafina dhe medalje autokratëve të Tiranës në majat e pandëshkueshmërisë. Kush mendon të kundërtën do të shgënjehet. Kush shërben dështimin do të përgjigjet para qytetarëve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.