“Duhet zbatuar ligji. Kaq!”/ Braçe pas zjarrit në Krujë: Zjarrfikësit meritojnë më shumë
Pas zjarrit masiv që rrezikoi Krujën mbrëmjen e së shtunës, deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar në rrjetet sociale, duke kërkuar zbatim të rreptë të ligjit për ndalimin e ndezjes së zjarreve, më shumë mbështetje për zjarrfikësit, por edhe duke iu përgjigjur atyre që i cilëson si “cinikët” e Instagramit, të cilët, sipas tij, kanë përdorur situatën për sulme dhe komente politike mbi menaxhimin e zjarrit.
Braçe vlerëson vendimin e qeverisë për pagesën shtesë të zjarrfikësve të angazhuar në operacionet për shuarjen e flakëve, por thotë se mbetet ende punë për t’u bërë.
Deputeti socialist kërkon gjithashtu zbatimin pa përjashtim të ligjit që ndalon ndezjen e zjarreve gjatë sezonit veror.
“Duhet zbatuar ligji. Kaq!”, shprehet Braçe, duke u ndalur më pas tek komentet dhe sulmet që janë bërë në rrjete sociale lidhur me mënyrën si autoritetet u përballën me zjarrin në Krujë dhe konsideruar ato budallallëk e ligësi.
Braçe kujton se, sipas policisë, zjarri u shkaktua nga një banor, i cili është arrestuar, ndërsa u përhap për shkak të erës dhe temperaturave të larta.
“Zjarrin e ndezi një banor. Zjarri u përhap nga kushtet e motit, era dhe i nxehti. Zjarri u shua plotësisht nga zjarrfikësit vendorë dhe ata të Forcave të Armatosura, me çdo mjet në dispozicion, përfshi helikopterë e dronë. Zero dëme në njerëz, zero dëme në banesa. Dëmi mjedisor në bimësi e pemë është i madh.Unë pranoj çdo kritikë në rastin e zjarreve. Por nuk pranoj dot budallallëkun, cinizmin, ligësinë. Sikur dje në Krujë të kishte munguar një zjarrfikës apo një zjarrfikëse, çdo gjë që ka rrjedhur në rrjet do legjitimohej. Por duhet kursyer çdo fjalë e rëndë kur të gjithë ishin në punë”, thotë Braçe.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.