Duma ruse u kundërvihet medieve të huaja
Një ligj i ri ka në shënjestër mediet ndërkombëtare në Rusi. Këtej e tutje ato duhet të regjistrohen si “agjent i huaj”. Edhe faqet e internetit mund të bllokohen.
Në lajmet e televizionit rus të drejtuar nga shteti vendimi i deputetëve u komunikua me fjalët: “Rrallëherë parlamenti ka qenë kaq në unanimitet sa për këtë çështje.” Me këtë bëhet fjalë për ligjin e ri të medias, i cili u miratua njëzëri nga dhoma e ulët e parlamentit rus. Të gjithë 409 deputetët e miratuan atë pa asnjë votë kundër. Ligji hyn në fuqi, kur edhe dhoma e lartë (senati) dhe presidenti Vladimir Putin ta miratojnë atë.
Ligji ka në shënjestër “mediet ndërkombëtare”, që tërësisht ose pjesërisht “financohen nga bota e jashtme”. Këtej e tutje ato mund të klafisikohen si “agjentë të huaj”. Mediet, që mund të preken nga ky ligj, duhet nga njëra anë të deklarojnë hapur financimin e tyre, nga ana tjetër ato janë të detyruara që produktet e tyre t’i pajisin me të dhënën, se e kanë prejardhjen nga një “agjent i huaj”- Regjistrimi i një “agjenti të huaj” realizohet përmes Ministrisë ruse të Drejtësisë.
Ashpërsim në leximin e dytë
Në leximin e dytë ligji u ashpërsua edhe më shumë. Në bazë të tij faqja e internetit të një medieje mund të bllokohet, nëse qeveria ruse e shpall atë të “padëshiruar”. Ligji i ri i medias nuk njeh automatizëm. Nuk përmendet në mënyrë eksplicite asnjë kanal televiziv, radistacion apo faqe interneti. Vlen vetëm verifikimi në secilin rast më vete nga Ministria e Drejtësisë. Krejt e paqartë është, se çfarë ndodh, nëse një media pavarësisht kërkesës, refuzon të regjistrohet si “agjent i huaj”. Po ashtu është e paqartë, se çfarë kriteresh përdor pala ruse për ta klasifikuar kështu një media.
Nënkryetari i Dumës dhe anëtar i partisë “Rusia e Bashkuar” të Putinit, Andrej Isajev, pretendon, se ligji “nuk do ta kufizojë lirinë e shtypit në Rusi”. Ai tha gjithashtu, se edhe mediet ruse, që pjesërisht financohen nga jashtë, mund të jenë gjithashtu të prekura. Zëdhënësi i shtypit i presidentit, Dimitri Peskov, pas votimit në parlament deklaroi, se ky ligj është një përgjigje ndaj kufizimeve që u janë bërë medieve ruse, në radhë të parë “Russia Today” (RT) dhe “Sputnik”. “Çdo sulm ndaj lirisë së medieve ruse në botën e jashtme, nuk do të mbetet pa përgjigje”, deklaroi ai.
Reagim ndaj kufizimeve nga SHBA-ja
Këshilli federativ më 22 nëntor do të shqyrtojë ligjin. Senatori Andrej Klimov, tha në televizionin rus, se ky ligj nuk drejtohet kundër Deutsche Welle-s e as kundër qeverisë gjermane, as kundër Francës apo vendeve të tjera. Ky ligj është një përgjigje ndaj masës jo miqësore dhe antiligjore kundër meidave ruse (në SHBA). Në këtë frymë legjislacioni rus duhet të jetë adekuat. “Askush nuk do të nisë luftë me të gjithë botën dhe me të gjitha mediat”, tha senatori.
Ligji i miratuar nga Duma është pasojë e përkeqësimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Rusisë. Uashingtoni e akuzon Moskën, se ka influencuar zgjedhjet presidenciale më 2016 – edhe me ndihmmën e televizionit të propagandës RT të financuar dhe të drejtuar nga shteti. Ky televizion pas kërkesës nga autoritetet e SHBA-së më 13 nëntor është regjistruar në “Foreign Agents Registration Act” (FARA) si “agjent i huaj”. Kremlini e konsideron këtë si sulm ndaj mediave dhe interesave ruse. Putin para pak ditësh shpalli masat për kundërpërgjigje.
Masat e reja ruse kundër medieve ndërkombëtare bazohen në një ligj, që është miratuar nga Duma në vitin 2012. Ky ligj prek OJQ-të e financuara nga jashtë. Këto OQJ sipas ligji duhet të regjistrohen si përfaqësuese të institucioneve të huaja.