Dy ankesa në PZAP, KQZ pret vendimet për shpalljen e rezultateve përfundimtare
Ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 7 qershor 2026, ndërsa tash mbetet që të përfundojnë procedurat ankimore para shpalljes së rezultateve përfundimtare.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, në një deklarim për Telegrafin ka thënë se institucioni është në pritje të vendimeve të institucioneve kompetente, përfshirë Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), para se të procedohet me certifikimin e rezultateve.
“KQZ është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjes së institucioneve përkatëse para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Elezi.
Ai ka shtuar se pas këtyre vendimeve do të vlerësohet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në para hapave të mëtejshëm.
“Pas këtyre vendimeve, mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në,” ka deklaruar ai.
Ndërkohë, nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) është bërë e ditur se aktualisht janë duke u trajtuar ankesat e paraqitura nga kandidatët e subjektit politik PDK.
“Ju njoftojmë se aktualisht janë parashtruar dy ankesa nga kandidatë të subjektit politik PDK, të cilat janë në proces të shqyrtimit,” thuhet në përgjigjen e PZAP-së për Telegrafin.
Procesi i rinumërimit dhe shqyrtimit të ankesave pritet të jetë vendimtar për finalizimin e rezultateve zgjedhore.
Sipas rezultateve preliminare, LVV-ja ka fituar 42.96 për qind të votave dhe pritet të ketë 53 ulëse në Kuvendin prej 120 anëtarësh.
Subjekti i dytë ka dalë Partia Demokratike e Kosovës me 21.13 për qind të votave të fituara dhe në legjislaturën e 11-të pritet të ketë 22 deputetë.
Lidhja Demokratike e Kosovës është partia e tretë me 17.60 për qind apo 18 deputetë. Kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që së voni ka vendosur të njihet si Aleanca ka fituar 7.16 për qind të votave dhe pritet të ketë shtatë deputetë. /Telegrafi/




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.