🌤️
Tiranë 17°C · Kryesisht kthjellët 22 Tetor 2026
S&P 500 7,657 ▼1.29%
DOW 52,784 ▼0.14%
NASDAQ 26,047 ▼2.46%
NAFTA 99.50 ▲2.42%
ARI 4,056 ▼2.27%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1232 EUR/GBP 0.8386 EUR/CHF 0.9261 EUR/ALL 90.8150 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4983 EUR/TRY 55.7642 EUR/JPY 177.57 EUR/CAD 1.5779 EUR/USD 1.1232 EUR/GBP 0.8386 EUR/CHF 0.9261 EUR/ALL 90.8150 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4983 EUR/TRY 55.7642 EUR/JPY 177.57 EUR/CAD 1.5779
₿ CRYPTO
BTC $81,366 ▼ -3.87% ETH $2,384 ▼ -5.27% XRP $1.3141 ▼ -5.13% SOL $103.9300 ▼ -4.36%
S&P 500 7,657 ▼1.29 % DOW 52,784 ▼0.14 % NASDAQ 26,047 ▼2.46 % NAFTA 99.50 ▲2.42 % ARI 4,056 ▼2.27 % S&P 500 7,657 ▼1.29 % DOW 52,784 ▼0.14 % NASDAQ 26,047 ▼2.46 % NAFTA 99.50 ▲2.42 % ARI 4,056 ▼2.27 %
EUR/USD 1.1232 EUR/GBP 0.8386 EUR/CHF 0.9261 EUR/ALL 90.8150 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4983 EUR/TRY 55.7642 EUR/JPY 177.57 EUR/CAD 1.5779 EUR/USD 1.1232 EUR/GBP 0.8386 EUR/CHF 0.9261 EUR/ALL 90.8150 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4983 EUR/TRY 55.7642 EUR/JPY 177.57 EUR/CAD 1.5779
22 Tet 2026
Breaking
Opinion

Marrëveshja e gazit: Gozhda e fundit e Ramës mbi financat e Shqipërisë?

Nga NEVRUS NAZARKO

Shumëkujt i kujtohet “puthja” e ngrohtë e Edi Ramës me Kimberly Guilfoyle, tashmë ish-ambasadoren amerikane në Greqi, gjatë vizitës së saj në Shqipëri, në mars të këtij viti.

Por a mund të rezultojë kjo afërsi diplomatike shumë më e kushtueshme sesa mund ta imagjinonim?
Në qendër të kësaj pyetjeje është një marrëveshje 20-vjeçare për furnizimin me gaz amerikan, përmes një kompanie me pronësi greke, me vlerë të raportuar prej rreth 6 miliardë eurosh, ose afërsisht 7 miliardë dollarësh.
Një marrëveshje e këtyre përmasave ngre pikëpyetje serioze ekonomike, politike dhe diplomatike, veçanërisht për detyrimet financiare që mund të trashëgojë Shqipëria gjatë dy dekadave të ardhshme.
Një vështrim i shpejtë mbi marrëveshjen
Më 28 prill 2026, në Tiranë, u njoftua nënshkrimi i një marrëveshjeje afatgjatë për furnizimin e Shqipërisë me gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet kompanisë AKTOR LNG USA, të lidhur me grupin grek AKTOR.
Marrëveshja është paraqitur si një projekt për diversifikimin e burimeve energjetike të Shqipërisë dhe forcimin e sigurisë së saj energjetike. Megjithatë, përmasat financiare dhe mungesa e transparencës mbi kushtet e plota kontraktuale ngrenë pyetje që kërkojnë përgjigje.
Blerësi është ALBGAZ, një kompani shtetërore shqiptare, ndërsa furnizimi parashikohet të fillojë në vitin 2030.
Sasia e planifikuar është rreth 1 miliard metra kub gaz në vit, me një vlerë mesatare të përllogaritur prej rreth 300 milionë eurosh, ose afërsisht 350 milionë dollarësh në vit.
Për krahasim, vlera totale e parashikuar e kësaj marrëveshjeje është e barasvlershme me një pjesë shumë të konsiderueshme të buxhetit vjetor të shtetit shqiptar. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se e gjithë shuma përbën borxh publik, por përmasat e saj e bëjnë të domosdoshëm një vlerësim serioz të rreziqeve financiare.
Përveç furnizimit me gaz, u nënshkrua edhe një memorandum për studimin e zhvillimit të një qendre energjetike në Vlorë, ku parashikohet ndërtimi i një centrali elektrik me gaz, me kapacitet rreth 380 MW.
Gazi amerikan, i furnizuar nga kompania Venture Global, parashikohet të mbërrijë fillimisht përmes infrastrukturës greke, me mundësi për zhvillimin e infrastrukturës së importit edhe në Shqipëri.
Rreziku kryesor financiar: Klauzola “Bli ose paguaj”
Sipas raportimeve të shtypit grek, marrëveshjet afatgjata të furnizimit për Shqipërinë dhe Bosnjën përmbajnë klauzola të tipit “bli ose paguaj”.
Kjo klauzolë mund ta detyrojë blerësin të paguajë për një sasi minimale gazi, edhe nëse nuk e merr apo nuk e konsumon të gjithë sasinë e kontraktuar.
Pikërisht këtu qëndron një nga rreziqet më të rëndësishme financiare.
Nëse ALBGAZ nuk arrin ta konsumojë apo ta shesë gazin e kontraktuar, kush do ta përballojë detyrimin financiar? Kompania shtetërore, buxheti i Shqipërisë apo, në fund të fundit, taksapaguesit shqiptarë?
Tri pyetje që kërkojnë përgjigje
1. Nevoja reale energjetike
Sa nga 1 miliard metrat kub gaz të parashikuar çdo vit do të konsumohen realisht në Shqipëri? A ekziston infrastruktura e nevojshme dhe një treg i aftë për ta përthithur këtë sasi? Sa prej saj mund të shitet në tregjet e tjera?
2. Përgjegjësia financiare
Nëse ALBGAZ nuk arrin të përmbushë detyrimet kontraktuale, a do të jetë i ekspozuar buxheti i shtetit?
Me fjalë të tjera, a ka marrë përsipër një kompani 100% shtetërore detyrime shumëvjeçare, të cilat, në rast pamundësie pagese, mund t’u kalojnë financave publike dhe taksapaguesve shqiptarë?
3. Ligjshmëria dhe miratimi parlamentar
A janë marrë të gjitha autorizimet e nevojshme ligjore dhe institucionale?
Neni 121 i Kushtetutës së Shqipërisë parashikon ratifikimin me ligj nga Kuvendi të marrëveshjeve ndërkombëtare që lidhen, ndër të tjera, me marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga Republika e Shqipërisë.
Një kontratë tregtare e një kompanie shtetërore nuk kërkon automatikisht ratifikim parlamentar. Por nëse ekzistojnë garanci shtetërore apo angazhime të drejtpërdrejta financiare të Republikës së Shqipërisë, duhet të sqarohet baza ligjore dhe procedura e miratimit të tyre.
Per t’i permbyllur keto tre pyetje:
A ishte kjo marrëveshje e diktuar nga nevojat reale energjetike të Shqipërisë, apo ndikuan edhe interesat politike të Edi Ramës për të forcuar marrëdhëniet me administratën Trump?
Në vend të mbylljes
Një marrëveshje tregtare e këtyre përmasave, me pasoja potenciale për dy dekada, kërkon transparencë të plotë, studime serioze fizibiliteti dhe përfshirjen e specialistëve të pavarur, institucioneve të kontrollit dhe përfaqësuesve të spektrit politik.
Edi Rama ka folur shpesh për përgjegjësinë individuale të zyrtarëve të tij. Por ky parim duhet të vlejë edhe për vendimmarrjen e vetë kryeministrit. Nëse nga shqyrtimi i kësaj marrëveshjeje rezultojnë shkelje ligjore, korrupsion apo dëme financiare, ai duhet të jape llogari, përfshirë përgjegjësinë personale dhe pasurore në përputhje me ligjin.
Qeveritë ikin, kryeministrat largohen, por detyrimet financiare mund të mbeten për dekada. Dhe asnjë marrëveshje që mund të rëndojë mbi financat e Shqipërisë nuk duhet të shërbejë si instrument për interesa të ngushta politike apo për zgjatjen e pushtetit të një kryeministri ne ikje.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.