“Edhe talebanët arritën të uleshin në tavolinë”- Spahiu: Kush do e propozojë kryeministrin apo ministrat e qeverisë t
Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se protestuesit duhet të ulen në tryezë me Qeverinë dhe të negociojnë për t’i dhënë zgjidhje krizës politike në vend.
Në një lidhje për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’, në Report Tv, Spahiu tha se është e turpshme që në vitin 2026 shqiptarët të mos ulen të negociojnë me njëri-tjetrin, në një moment kur negociata zhvillohen edhe mes Hamasit dhe Izraelit.
“Kryeministri i Shqipërisë ka dhënë 2 deklarata, një në të cilën lë të hapur mundësinë për negociata pa kushte, ku parashikon që çdo lloj kërkese mund të jetë e negociueshme. Unë kam një parim, që është një thirrje për të dy palët. Edhe talebanët arritën të uleshin në tavolinë dhe të gjejnë një marrëveshje me Uashingtonin. Edhe Hamasi negocioi dhe gjeti një marrëveshje me Izraelin. Edhe Moska mban disa ura komunikimi me Ukrainën. Pra edhe në luftërat më të egra, palët ndërluftuese kanë ruajtur komunikimin. Tani unë e kuptoj që ka njerëz që thonë ‘o kështu, o s’ka’. Është e papranueshme që në vitin 2026 shqiptarët të mos negociojnë me njëri-tjetrin”, tha mes të tjerash Spahiu.
Marrë shkas nga vendosmëria e protestuesve për të mos marrë pjesë në negociata, Spahiu ngriti pyetjen se ‘nëse kryeministri Rama do të jepte dorëheqjen, kush do e propozojë Qeverinë teknike, si do të votohet?’.
“Kërkesa thonë edhe ‘qeveri teknike’. Tani unë kam një pyetje. Sikur Rama të japë sot dorëheqjen, kush do i propozojë ministrat e Qeverisë teknike? Apo do bëhemi ne turp i botës ku secili të propozojë nga një emër. Kush janë këta që do propozojnë qeverinë teknike? Si do zgjidhjet, në çfarë forme? Kush janë emrat? Edhe sikur Rama sot të japë dorëheqjen, pas 10 minutash janë të detyruar të ulen me PS dhe PD në tavolinë. Sepse qeveria teknike duhet të votohet në Parlament. Këta njerëz që protestojnë i bie të kenë mision tjetër, që t’i vënë flakën Shqipërisë pa asnjë zgjidhje”, tha mes të tjerash Spahiu.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.