“Edhe udhëtimet më të bukura kanë një fund”. Pas katër sezonesh, Interi i jep lamtumirën Acerbit
Interi përshëndetet me Francesco Acerbi përmes një letre të gjatë publike. 4 sezone, 6 trofe dhe kujtimi i golave e paraqitjeve që kanë hyrë në historinë zikaltër. Acerbit. Mbrojtësi ka zgjedhur të ndahet nga zikaltërit në përfundim të kontratës së tij, pas katër sezonesh. Kjo është komunikata e publikuar në faqen zyrtare të Interit: “Ajo mes Francesco Acerbit dhe Interit ishte një pakt besimi.
Diçka e pastër, si lutja e mbrojtësit para bilbilit të fillimit të çdo ndeshjeje, kur i kushton vetes një çast: krahët dhe shikimi drejt qiellit, përpara se të përqendrojë të gjithë vëmendjen e tij në fushë. Acerbi ka parë shumë gjëra përpara se të mbërrinte në Milano në verën e vitit 2022 dhe shumë sfida i ka kapërcyer. Ai veshi fanellën zikaltër duke sjellë me vete një bagazh të lakmueshëm përvoje, por ende me atë urinë e dikujt që dëshiron të shkruajë faqet më të bukura të karrierës së tij, të atij që kërkon ta shndërrojë në legjendar një rrugëtim të një niveli shumë të lartë.
Acerbit iu desh shumë pak kohë për të marrë në dorë qendrën e mbrojtjes së Interit dhe për të fituar besimin e popullit zikaltër, duke vulosur këtë pakt besimi: mësuam të kuptonim se, me të në fushë, sulmuesi kundërshtar do të vuante për 90 minuta. Mësuam t’i besonim atij, aftësisë së tij për të fituar duelet kundër sulmuesve më të mirë në Serie A dhe në Champions League. Më pas zbuluam se besimi i tij do ta shtynte shumë më larg, në zona të fushës ku zakonisht nuk shkel, përveç momenteve të duhura, momenteve vendimtare.
Një shije të kësaj e dha që në sezonin e tij të parë me Interin, në fazën e 1/8-ave të Kupës së Italisë kundër Parmës: një ndeshje e vështirë, plot pengesa, e zgjidhur në kohën shtesë nga goli i parë i Acerbit me fanellën zikaltër. Një goditje me kokë nga jashtë zonës, një parabël që surprizoi Buffon, i cili kishte mbetur larg portës, pasi kishte ndërprerë krosimin. Vetëm Acerbi e dinte pse ndodhej aty dhe si pati instinktin të mendonte për atë lëvizje, duke shënuar golin që hapi rrugëtimin e Interit në Kupën e Italisë.
Acerbi besoi gjithmonë, besoi më shumë se kushdo tjetër. Ai dha gjithmonë gjithë pasionin, përkushtimin dhe dëshirën për të shkuar përtej limiteve. Kujt tjetër mund t’i takonte firma që zhbllokoi derbin e “Yllit të Dytë”, nëse jo atij? Edhe një herë në vendin e duhur, në momentin e duhur. Goli kundër Milanit vulosi një sezon të jashtëzakonshëm, atë të titullit të 20-të zikaltër, të parin në karrierën e tij: një vorbull emocionesh të paharrueshme për të dhe për familjen interiste.
Dhe sapo mësohesh me net të tilla, me një ‘San Siro’ si ai, dëshiron t’i jetosh gjithnjë e më shumë. Ja ku erdhi rrugëtimi në Champions League i vitit 2025, ja ku ishte ‘San Siro’ i varur pas fijeve të fundit të shpresës kur, në kohën shtesë, rezultati tregonte Barcelonën në avantazh 3-2, vetëm një hap larg finales. Pikërisht aty luani e bëri të pavdekshëm paktin e tij të besimit. Ishte ai që besoi më shumë se të gjithë, la mbrojtjen dhe u gjend në zonën kundërshtare, duke devijuar me të djathtën krosimin e Dumfries poshtë traversës. Vrapimi i tij pa fanellë, fluturimi mbi barin e lagur, një përqafim kolektiv i 75 mijë njerëzve. Acerbi na dhuroi një nga momentet që shpjegon më mirë se çfarë është Interi. Të besosh gjithmonë, të jesh gjithmonë aty.
Megjithatë, edhe udhëtimet më të bukura kanë një fund. Ai i Acerbit me fanellën zikaltër u mbyll në mënyrën më të mirë, me një dopietë historike që vulos 4 sezone të nivelit më të lartë me 148 paraqitje, 5 gola, 6 trofe të fituar dhe disa nga fotografitë më të bukura në historinë e Interit. Faleminderit, Francesco! Ishte bukur të fitonim së bashku”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.