Ofrenda gjigante mbërrin në Manhattan: altari publik «Twenty Petal Flower» hapet për Ditën e të Vdekurve
Instalacioni i studios meksikane Mestiz në Flatiron North Plaza fton kalimtarët të vendosin qirinj, dhurata dhe kujtime për të dashurit e tyre, deri më 3 nëntor.
Një ofrendë gjigante me titullin “Twenty Petal Flower” ka filluar të “lulëzojë” sot, më 26 tetor, në Flatiron North Plaza në Manhattan, siç njofton Hyperallergic, gjashtë ditë përpara fillimit të Día de Muertos, Ditës së të Vdekurve.
Emri i veprës frymëzohet nga emërtimet e lules së kadifes meksikane, marigold, në gjuhën nahuatl, cempōhualxōchitl, dhe në spanjisht, cempasúchil. Altari publik funksionon si një altar komunitar, ku pjesëmarrësit dhe kalimtarët mund të vendosin oferta, qirinj, dhurata dhe kujtime për të dashurit e tyre, deri më 3 nëntor.
Në partneritet me Powerhouse Arts në Brooklyn, artizanët e Mestiz Studio, nga San Miguel de Allende në Meksikë, e kanë thurur strukturën me nivele në formën e luleve të zmadhuara të kadifes. Sipas traditës, këto lule ndihmojnë në udhëheqjen e shpirtrave të të vdekurve drejt familjeve të tyre, çdo vit.

“Një altar i Día de Muertos është tradicionalisht një homazh për dikë që e duam dhe që nuk është më me ne. Me Twenty Petal Flower donim të nderonim njerëzit që qëndrojnë pas gjithë udhëtimit të cempasúchil-it, nga kultivimi te ofrenda”, tha Daniel Valero, themelues dhe drejtor krijues i Mestiz.
Instalacioni në Flatiron North Plaza e kthen sheshin në një hapësirë përkujtimi dhe pjesëmarrjeje, ku kujtimi personal bëhet pjesë e një vepre kolektive të artit publik në zemër të Manhattan-it.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.