Egnatia-Skënderbeu në RTSH, Dede: Duhet të kënaqim tifozët
Trajneri i Egnatias, Nevil Dede, ka folur për faqen zyrtare të klubit rrogozhinas në prag të ndeshjes kundër Skënderbeut, që do të luhet nesër në orën 18:30 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH 1 dhe RTSH Sport. Tekniku vlerëson kundërshtarin, por thekson se skuadra e tij duhet të mbrojë titullin kampion dhe të kënaqë tifozët me futbollin që interpreton.
“Starti i kampionatit është shumë pozitiv. 6 pikë, golavarazhi është i kënaqshëm. Është një avantazh i madh psikologjik për skuadrën.
Vijmë nga një periudhë e vështirë. Nesër zhvillojmë ndeshjen e 5-të brenda 15 ditëve. Rotacioni ka qenë i pranishëm, ju e keni parë edhe në ndeshjen e fundit kundër Vorës. Skënderbeu është një skuadër me moshë relativisht të re. Mendoj që do të jetë një ndeshje shumë e luftuar. ne jemi ata që duhet të mbrojmë titullin kampion, që çdo sukses që bëmë përpara të na japë të drejtë, dhe të gjithë të tjerët të na shohin me të vërtetë se kush jemi..
Atmosfera kur luajmë në shtëpi është shumë e mirë dhe motivon lojtarët. Skuadra jonë ka mësuar jo vetëm tifozët tanë, por tifozët në të gjithë Shqipërinë që të kënaqen me futbollin që ne interpretojmë. Nesër na takon që të kthehemi te standardi që na takon, ai që kemi mësuar tifozët. Ne duhet të kënaqim tifozët, ata janë mbështetja jonë, energjia jonë, gjithçka që ne kemi”, ka thënë mes të tjerash Dede.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.