Ekonomi: Rama nuk largohet, mandati i tij buron nga vota e mbi 800 mijë qytetarëve
Deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi, e ftuar në emisionin “3D nga Albana Dudushi” në RTSH, komentoi protestat e fundit në vend, duke u shprehur se ato nuk kanë arritur ende të artikulojnë një kërkesë të qartë dhe të konsoliduar.
Sipas Ekonomit, protestat kanë ndryshuar vazhdimisht fokusin e tyre, duke kaluar nga kërkesa për çështjen e Zvërnecit te kritikat për menaxhimin e ekzekutivit dhe më pas te kërkesa me natyrë politike.
“Shumë mirë që ka një reagim qytetar. Kjo histori e protestës nuk ka artikuluar asnjëherë një kërkesë të vërtetë. Një herë erdhi kërkesa për Zvërnecin, pastaj erdhi protesta për menaxhimin e ekzekutivit dhe tani vjen protesta me disa kërkesa politike”, u shpreh ajo.
Ekonomi tha se protesta nuk ka arritur ende një nivel pjekurie politike, ndërsa tha se kërkesat e paraqitura deri tani mbeten të paqarta.
“Protesta nuk ka ardhur ende në një status pjekurie, sepse edhe këto kërkesa që janë bërë sot janë shumë konfuze dhe ai që përfaqëson nuk është personi që mund të përfaqësojë këtë protestë”, deklaroi Ekonomi.
Ajo shtoi se aktualisht në Tiranë ekzistojnë dy realitete paralele: njëri i lidhur me protestën dhe tjetri me jetën e përditshme të qytetit, e cila vijon normalisht pavarësisht tubimeve.
“Ka dy realitete në Tiranë. Një realitet që është protesta dhe një realitet që është Tirana dhe jeta aty vijon pavarësisht protestës”, tha deputetja e PS.
Në lidhje me kërkesat për largimin e Kryeministrit, ajo theksoi se një gjë e tillë nuk mund të arrihet përmes protestave në rrugë, duke argumentuar se mandati i tij buron nga vota e qytetarëve.
“Kryeministrin nuk e rrëzojnë dot në këtë mënyrë, sepse sado që të jenë ata 20, 15 apo 30 mijë, ata nuk janë kurrë 856 mijë. Kryeministri e ka marrë detyrën me vota”, u shpreh Ekonomi.
Deputetja socialiste tha se sfida kryesore e Shqipërisë mbetet integrimi evropian, duke nënvizuar se shumica dërrmuese e qytetarëve mbështesin anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
“Momenti historik është se 92% e shqiptarëve pranojnë që vendi të jetë pjesë e BE-së”, përfundoi ajo.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.