Eksportet shënojnë rritje minimale në Maqedoni, tregu vendor në rënie
Qarkullimi në industri vazhdon të lëvizë me ritëm të ngadaltë. Të dhënat më të reja të Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS) tregojnë se gjatë muajit maj të këtij viti është regjistruar një rritje vjetore prej vetëm 0.8 për qind, çka sinjalizon se sektori industrial ende nuk po arrin një rimëkëmbje më të fuqishme. Rritja mbështetet kryesisht nga eksporti, ndërsa tregu vendor vazhdon të shfaqë dobësi.Sipas statistikave, qarkullimi i përgjithshëm në industri në maj 2026 ishte 0.8 për qind më i lartë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Megjithatë, krahasuar me muajin prill të këtij viti, është regjistruar një rënie prej 0.6 për qind, që tregon se aktiviteti industrial ka pësuar ngadalësim në baza mujore. Në pesë muajt e parë të vitit, rritja kumulative është edhe më modeste, vetëm 0.3 për qind në raport me periudhën janar-maj 2025.
Të dhënat tregojnë se jo të gjitha degët industriale kanë lëvizur në të njëjtin drejtim. Kontributin më të madh pozitiv e kanë dhënë produktet kapitale, ku qarkullimi është rritur për 5.3 për qind. Ky segment zakonisht lidhet me prodhimin e makinerive dhe pajisjeve për investime, ndaj rritja mund të interpretohet si sinjal i një aktiviteti më të madh në investimet industriale.
Në anën tjetër, shumica e grupeve të tjera kanë shënuar rënie. Produktet intermediare, pa përfshirë energjinë, kanë rënë për 0.7 për qind, produktet e qëndrueshme për konsum të gjerë për 6.9 për qind, ndërsa produktet jo të qëndrueshme për konsum të gjerë për 3.5 për qind. Kjo tregon se rritja e përgjithshme është mbështetur nga një numër i kufizuar aktivitetesh, ndërsa pjesa më e madhe e industrisë vazhdon të përballet me vështirësi.
Një dallim i qartë vërehet edhe mes tregut vendor dhe atij të jashtëm. Në tregun vendas, qarkullimi industrial në maj ka rënë për 1.8 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke sinjalizuar kërkesë më të dobët brenda vendit. Ndërkohë, në tregjet e huaja është regjistruar rritje prej 1.8 për qind, çka nënkupton se eksporti vazhdon të jetë faktori kryesor që po mban industrinë në territor pozitiv.
Edhe në nivel pesëmujor vërehet e njëjta prirje. Në tregun vendor qarkullimi është rritur me 1.2 për qind, ndërsa në tregjet e huaja vetëm 0.2 për qind. Kjo tregon se, megjithëse eksporti ka ndihmuar rezultatin e muajit maj, ritmi i rritjes gjatë gjithë vitit mbetet i kufizuar.
Nga aktivitetet industriale, ndikimin më të madh në rezultatin e përgjithshëm e kanë pasur prodhimi i produkteve të tjera minerale jometalike, me rritje prej 5.1 për qind, prodhimi i produkteve metalike të fabrikuara, përveç makinerive dhe pajisjeve, me rritje prej 1.5 për qind, si dhe prodhimi i makinerive dhe pajisjeve, i cili ka shënuar një rritje të konsiderueshme prej 18.8 për qind. Ndërkaq të dhënat tregojnë gjithashtu dallime të mëdha mes degëve të veçanta të industrisë. Disa sektorë kanë shënuar rritje dyshifrore, ndërsa të tjerë vazhdojnë të regjistrojnë rënie të ndjeshme, gjë që dëshmon se rimëkëmbja industriale mbetet e pabarabartë dhe e përqendruar vetëm në disa aktivitete prodhuese.
Ndër të tjera, edhe pse industria mbetet në territor pozitiv, ritmi i rritjes është minimal, ndërsa dobësia e kërkesës së brendshme vazhdon të jetë një nga sfidat kryesore. Përderisa eksporti mbetet shtytësi kryesor i qarkullimit industrial, mungesa e një rritjeje më të fortë në tregun vendor tregon se sektori ende nuk ka hyrë në një fazë të qëndrueshme zgjerimi. (koha.mk)



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.