Kronika

Ekstradimi i Ismail Morinës, qytetarë dhe tifozë protestojnë para kryeministrisë

Qytetarë dhe tifozë të shumtë protestuan të shtunën pasdite para kryeministrisë, në Tiranë kundër vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Kroacisë, për ekstradimin e Ismail Morinës në Serbi.

Ismail Morina u ndalua në Kroaci, në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar, të lëshuar nga Serbia, e cila e akuzon atë si autor të ngritjes së dronit në Beograd, i cili solli trazirat gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri.

Gjykata e shkallës së Parë në Kroaci është shprehur pro ekstradimit të Ismail Morinës në Serbi, ndërsa çështja është apeluar.

Gjatë ditës së sotme, ka nisur një angazhim i gjithanshëm i institucioneve shqiptare, për të bindur autoritetet kroate, të mos ekstradojnë Morinën drejt Serisë.

Ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi i ka bërë kërkesë autoriteteve kroate, që të mos ekstradojnë në Serbi shtetasin Ismail Morina, i njohur për lëshimin e dronit mbi Beograd, gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri.

Në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të shtetasit shqiptar Ismail Morina, ai ka marrë kontakt urgjent zyrtar, me autoritetet kompetente kroate, për të argumentuar nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, pamundësinë e ekstradimit të tij në Serbi.

Për këtë qëllim, me shkresën nr.4782, datë 28/07/2017, drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kroacisë, Ministri Bardhi i ka kërkuar zyrtarisht homologut të tij kroat, mos miratimin e kërkesës për ekstradim, duke vlerësuar se kërkesa për ekstradim bie ndesh me Konventën e Këshillit të Europës “Për ekstradimin” dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.

Gjate ndeshjes Serbi-Shqiperi, momentet e incidentit

Ministri i Drejtësisë, në kërkesën drejtuar autoriteteve kroate, ka argumentuar se në rast ekstradimi në Serbi, shtetasi shqiptar Ismail Morina rrezikon t’i nënshtrohet përndjekjes, persekutimeve apo diskriminimeve të motivuara politikisht, për shkak të shtetësisë së tij dhe gjendjes personale apo shoqërore, çka përbën shkelje të një të drejte themelore të njeriut, që duhet të pengojë miratimin e kërkesës për ekstradim.

Për këtë qëllim, ditën e sotme, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar bashkëpunimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, për t’i vënë në dispozicion të gjitha faktet dhe provat që dëshmojnë përdorimin politik nga autoritetet serbe, të ngjarjes së ndodhur në stadiumin e Beogradit, në nëntor të vitit 2015, si dhe sjelljes çnjerëzore të tifozëve dhe personelit serb të stadiumit, ndaj ekipit kombëtar shqiptar.

Edhe FSHF vazhdon të ndjekë me shumë intensitet dhe angazhim maksimal procesin për mos ekstradimin e Ismail Morinës drejt Serbisë.

Presidenti Armand Duka ka patur një komunikim intensiv me kryeministrin Edi Rama për këtë problem. Kreu i Ekzekutivit së bashku me Presidentin e FSHF kanë marrë kontakt të vazhdueshëm edhe me autoritetet kroate për zgjidhjen përfundimtare të procesit.

Burime nga FSHF bëjnë të ditur se gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme dhe paradites së sotme, por edhe në vijim janë parë të gjitha mundësitë dhe hapësirat ligjore për të mbrojtur një çështje të tillë.
/a.gjonaj/ /a.g/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button