Rajoni

Falimenti i Greqisë, përgjegjësja kryesore do të ishte Merkel

Mos shlyerja e borxhit ndaj FMN-së e vendos Greqinë në prag të falimentimit, skenar ky që, për ekspertë amerikanë si Robert Shapiro, mund të parandalohej.

Drejtori ekzekutiv i firmës konsulente “Sonecon”, ish nënsekretar i Tregëtisë në administratën e Presidentit Clinton, citohet nga “Zëri i Amerikës” të pohojë se, në të gjithë këtë situatë, vëmendja duhet përqendruar te Gjermania, si huadhënësja kryesore e Athinës.

Angela Merkel – këmbëngul ai, – e kishte rastin ta shmangte falimentimin e Greqisë. Shapiro merr në analizë edhe pozicionin e shefes së Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Christine Lagarde – sipas tij, – është përballur me një trysni të jashtëzakonshme për t’u tërhequr nga buza e greminës. Ka presion të madh nga biznesi dhe komuniteti bankar, e ka presion të madh edhe nga politika.

Por sërish, në sytë e Shapiros, problemi kryesor është Gjermania. “Nëse Berlini do të ushtronte trysni mbi FMN-në, them se Lagarde do të bindej”, shprehet ai.

Analisti amerikan shkon deri aty, sa ta akuzojë Merkelin se “po luan një lojë të rrezikshme” me ekonominë e Greqisë. Megjithatë, ai gjen dhe një lloj shfajësimi për Kancelaren gjermane, e cila – siç thotë, – ndodhet në një pozitë mjaft të vështirë, pasi taksapaguesit gjermanë nuk e pëlqejnë idenë e lëshimit të fondeve të mëtejshme për të shpëtuar Greqinë.

Nëse Greqia falimenton, duke mos paguar këstin e FMN-së, kjo do të ishte hera e parë në historinë e Fondit Monetar, që një ekonomi e avancuar do të falimentonte ndaj borxhit të marrë prej vetë këtij institucioni financiar, çka do ta kalonte Athinën, ekonomia e së cilës ka rënë me mbi 25 për qind që nga 2009-a, në të njëjtën kategori me Zimbabven, Sudanin dhe Kubën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button