Europa

Festime por edhe paralajmërime

Qindra mijëra berlinezë dhe vizitorë të kryeqytetit festojnë këtë fundjavë rrëzimin e Murit para 25 vjetësh. Pika kulmore më e shkëlqyer është një instalacion dritash, që kalon përgjatë vijës ku kalonte muri.

berlin

Motivi i fotografuar më shumë në kryeqytet dallohet menjëherë: është instalacioni me 7000 tullumbace me dritë, të cilët shënjojnë vijën ku kalonte më parë Muri. Një spektakël optik, që i entuziasmon njëlloj si berlinezët edhe vizitorët. “Një ide madhështore”, mendon Brigitta Wolf e cila bashkë me familjen ka ardhur në Berlin nga jugu i Gjermanisë për të marrë pjesë në festime. Wolf sot 78-vjeçare e ka përjetuar ndërtimin e Murit në 1961 në Berlin dhe i kujtohet shumë mirë rrëzimi i tij para 25 vjetësh: “Unë qava. Pastaj hapëm shishet e verës dhe festuam.”

Gëzim dhe dhimbje, ashtu si shumë njerëz të tjerë të moshuar Brigitta Wolf i lidh të dy këto ndjenja me Murin dhe rënien e tij, pasi familja e saj u nda për shkak të ndarjes së kryeqytetit. Berlinin e sotëm mezi e njeh, thotë duke qeshur Wolf që banon prej vitesh në Karlsruhe dhe djali i saj Michael plotëson: “Ndenja e ankthit që ishte aq e pranishme në Berlinin e ndarë tani nuk është më.”

Familja Wolf para Portës së Brandenburgut

Ardhur në Berlin për të festuar së bashku

Deri të dielën në mbrëmje “kufiri i ndritshëm” do të kalojë mes për mes qytetit, nga Porta e Brandenburgut deri në kalimin e dikurshëm kufitar në rrugën Bornhomer, ku në mbrëmjen e 9 nëntorit 1989 u ngrit trari i parë. Më parë anëtari i byrosë politike të SED-it, Günter Schabowski kishte njoftuar në një konferencë për shtyp se qytetarët e RDGJ mund të udhëtonin jashtë vendit “pa kushte”. Lejet u dhanë brenda një kohe të shkurtër. Ky ishte fillimi i fundit të Murit.

Mesazhi i Günter Schabowskit transmetohet me titra anglisht

Skena e famshme nga konferenca për shtyp e Schabowskit transmetohet vazhdimisht në Portën e Brandenburgut në një ekran të madh me titra në anglisht, që të mund të kuptojnë edhe vizitorët e huaj. Kështu edhe Jenny dhe Ulrika nga Suedia, të cilët si tifoze të vërteta të Berlinit kanë qenë në kryeqytet edhe në jubileun e 20-të të rrëzimit të Murit. Edhe këtë herë ato i kanë rezervuar në kohë dhomat e hotelit “për të festuar me berlinezët”. Në kohën që ishin teenager ato patën mësuar që pranë Murit janë vrarë njerëz. “Kur Muri ra në gazetën suedeze ishte një foto ku shiheshin dy gjermanë, një nga Lindja dhe një nga Perëndimi, të cilët përqafoheshin”, tregon Ulrika. “Këtë pamje e kam ende para syve.”

Gorbaçovi kritikon Perëndinim

Ndërkohë që në Sheshin Paris para Portës së Brandenburgut që në mëngjes u mblodhën qindra njerëz nën qiellin e kthjellët të Berlinit, në një nga ndërtesat aty pranë ish-kryetari i shtetit dhe partisë në ish-Bashkimin Sovjetik Mihail Gorbaçov mban një fjalim, i cili nuk është aspak festiv. Pas fundit të Luftës së Ftohtë mes Rusisë dhe Evropës Perëndimore u krijua besim. Por ky besim gjatë muajve të kaluar “është shkatërruar”, paralajmëron nobelisti i paqes.

Mihail Gorbaçov kritikon Perëndimin

 

“Bota gjendet në prag të një lufte të re të ftohtë. Disa thonë se ajo ka filluar tashmë”, thotë Gorbaçov, politika e Perestrojkës e të cilit mundësoi ribashkimin gjerman. 83-vjeçari e akuzon Perëndimin dhe në veçanti SHBA se pas fundit të Luftës së Ftohtë kanë përfituar nga dobësia e Rusisë dhe me një politikë “dritëshkurtër” kanë vënë në jetë vullnetin e tyre. Ai jep si shembuj zgjerimin në Lindje të NATO-s por edhe konfliktet në Libi, Siri dhe Irak. “Këtu në Berlin në përvjetorin e rënies së Murit, më duhet të konstatoj se të gjitha këto kanë ndikim negativ edhe në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Gjermanisë, të cilat deri tani kanë qenë shembullore.” Përvoja e viteve 1980 tregon megjithatë se ka gjithnjë një rrugëdalje, thotë Gorbaçov. Kjo vlen edhe sot për krizën e Ukrainës. As “fajësimet reciproke” dhe as sanksionet nuk mund ta zgjidhin problemin, për këtë arsye të dy palët duhet të kërkojnë shpejt mundësi për t’u marrë vesh, tha Gorbaçov.

Festime përkujtimore në gjithë qytetitn

Pjesa zyrtare e festimeve fillon të dielën (9.11.) në mëngjes në vendin përkujtimor në rrugën Bernauer Straße. Kancelarja Angela Merkel do të kujtojë të rënët tek Muri. Vetëm në Berlin buzë Murit kanë humbur jetën 138 vetë, pjesa më e madh u qëlluan për vdekje nga pikat kufitare të RDGJ gjatë përpjekjes për t’u arratisur. Këta të rënë përkujtohen edhe me një ekspozitë në vendin përkujtimor.

Vendi përkujtimor në Bernauer Straße

Në shesh gjendet copëza e fundit e Murit të Berlinin, e cila është ruajtur bashkë me strukturën e gjerë të kufirit. Se sa i madh është interesimi për historinë e Murit dhe fatet e lidhura me të, e tregon vërshimi i vizitorëve. Më shumë se 5 milionë turistë dhe berlinezë e kanë vizituar deri tani vendin përkujtimor. Merkel do ta hapë vizitën në vendin përkujtimor me një fjalim. Më parë së bashku me kryebashkiakun në largim të Berlinit Klaus Wowereit do të marrë pjesë në një meshë në Kishën e Pajtimit, e cila gjendet në mes të vijës së dikurshme të vdekjes.

Pas një akti festiv në sallën e kongreseve në sheshin Gendarmenmarkt dhe një feste qytetare me muzikë live në Portën e Brandenburgut, festimet marrin fund në mbrëmje dhe atëherë tullumbacet e ndritshëm do të lëshohen në qiellin e mbrëmjes mbi Berlin duke e shpërbërë në mënyrë simbolike “murin e dritave”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button