Fier, policia shton kontrollet në akset rrugore, mbi 1000 gjoba
Policia Rrugore e Fierit ka shtuar kontrollet në akset rrugore të qarkut Fier, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut përmes monitorimit me pajisje inteligjente në rrugët urbane, interurbane dhe në pikat hyrëse-dalëse.
Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat policia bëri me dije se gjatë kësaj jave janë proceduar penalisht 5 shtetas për shkelje të ndryshme të dispozitave të Kodit Rrugor.
Sipas Policisë, 1 shtetas është arrestuar për drejtim automjeti në gjendje të dehur, ndërsa 3 të tjerë janë proceduar për drejtim të mjetit pa leje drejtimi. Nga këta, 1 është arrestuar, ndërsa 2 janë proceduar në gjendje të lirë.
Gjithashtu, është proceduar penalisht 1 shtetas për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë aksidentin.
Gjatë kontrolleve parandaluese janë vendosur gjithsej:
989 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë në rrugët interurbane dhe në autostradën A2;
40 masa për mospërdorimin e rripit të sigurimit;
4 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit;
35 masa për parakalim të gabuar;
6 masa për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit;
112 masa për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor, të cilat përbëjnë burim potencial për aksidente.
Ndërkohë, vijojnë kontrollet edhe ndaj mjeteve që kryejnë transportin e nxënësve, me qëllim garantimin e sigurisë së tyre gjatë lëvizjes.
Gjatë kësaj jave janë vendosur 3 masa administrative, pasi janë konstatuar mjete të transportit publik që nuk dispononin dokumentacionin përkatës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.