BE miraton pesë projekte të përbashkëta të mbrojtjes për dronë, mbrojtje detare dhe raketore
Këshilli Evropian miratoi të hënën pesë Projektet e para të Mbrojtjes Evropiane me Interes të Përbashkët (EDPCI), me synim forcimin e gatishmërisë mbrojtëse dhe kapaciteteve industriale të Bashkimit Evropian.
Projektet përfshijnë zhvillimin e aftësive në fushën e dronëve dhe sistemeve kundër dronëve, mbrojtjen detare dhe të shtratit të detit, mbrojtjen hapësinore, ajrore dhe raketore, si dhe forcimin e mbrojtjes në krahun lindor të BE-së.
EDPCI-të janë pjesë e Programit Evropian të Industrisë së Mbrojtjes (EDIP), të miratuar nga BE-ja në vitin 2025. Nisma synon t’u mundësojë shteteve anëtare të zhvillojnë së bashku kapacitete ushtarake të konsideruara të rëndësishme për sigurinë dhe mbrojtjen evropiane.
Projektet janë fokusuar veçanërisht në iniciativa të mëdha ose komplekse, të cilat do të ishin më të vështira për t’u realizuar nga shtetet individualisht.
Me miratimin e tyre, pesë projektet bëhen të pranueshme për financim nga BE-ja përmes EDIP-it. Ky program do të mbështesë fazat fillestare të zbatimit dhe mund të shërbejë si bazë për financim shtesë përmes Fondit Evropian të Konkurrueshmërisë.
“Vendimi i sotëm tregon se Evropa mund të jetë ambicioze dhe të përmbushë premtimet e saj”, deklaroi komisioneri evropian për Mbrojtjen, Andrius Kubilius. Ai theksoi se shtetet anëtare po bashkojnë ekspertizën dhe investimet për zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta të mbrojtjes.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.