Kallas: BE-ja të koordinojë përgjigjen ndaj sulmeve hibride
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha të hënën se protokolli i propozuar i emergjencës për sigurinë duhet të plotësojë mekanizmat ekzistues të NATO-s dhe jo t’i dyfishojë ato.
Duke folur pas takimit të ministrave të Mbrojtjes të BE-së në Bruksel, Kallas tha se vendet anëtare zhvilluan diskutimin e parë mbi mekanizmin, i cili synon të koordinojë reagimin ndaj të ashtuquajturave sulme të zonës gri ose sulmeve hibride.
“Duhet të punojmë edhe në lidhje me protokollin e emergjencës sepse nuk duhet të ketë dyfishim”, deklaroi Kallas, duke theksuar se mekanizmi duhet të funksionojë paralelisht me NATO-n, pa krijuar struktura të veçanta.
Kallas tha se këtë çështje e kishte diskutuar edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Sipas saj, protokolli i BE-së do të fokusohej te mjetet që mund të përdoren në rast të një agresioni që nuk arrin nivelin e një sulmi të armatosur dhe që mbetet nën pragun e Nenit 5 të NATO-s, i cili parashikon mbrojtjen kolektive.
Kallas bëri dallim mes këtij mekanizmi dhe Nenit 4 të NATO-s, i cili u mundëson vendeve anëtare të zhvillojnë konsultime kur siguria e një aleati kërcënohet. Ajo tha se Neni 4 lidhet kryesisht me konsultimet, ndërsa propozimi i BE-së do të shqyrtonte konkretisht masat që shtetet anëtare mund të ndërmarrin në përgjigje të sulmeve hibride.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.