Filipçe: Mickoski nuk ka ndërmend ta vazhdojë rrugën evropiane — “do të mbetemi të izoluar”
Kreu i SDSM-së e akuzon kryeministrin se e përdor kërkesën për ndihmë nga BE-ja si justifikim dhe paralajmëron se Maqedonia e Veriut rrezikon ta humbasë momentin për anëtarësim, ndërkohë që Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia ecin përpara.
Kryetari i SDSM-së, Venko Filipçe, e akuzoi kryeministrin Hristijan Mickoski se nuk ka ndërmend ta vazhdojë rrugën evropiane të vendit dhe se kërkesën për ndihmë e ndërmjetësim shtesë nga Bashkimin Evropian e përdor si justifikim, sipas portalit 48chasa.mk që transmetoi sot deklaratën e tij.
“Gjithçka që thotë kryeministri Hristijan Mickoski, se duhet bërë, se nevojitet ndonjë ndihmë, ndonjë përfaqësues i Bashkimit Evropian, gjithçka është gënjeshtër. Thjesht, njeriu nuk ka ndërmend ta vazhdojë rrugën evropiane të vendit”, tha Filipçe.
Ai rikujtoi propozimin e vitit 2022 dhe vizitat e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke pretenduar se VMRO-DPMNE-ja i ishte kundërvënë që atëherë zgjidhjes së ofruar. Sipas Filipçes, paraqitja e tanishme e Mickoskit si mbrojtës i interesave kombëtare nuk përkon me politikën që po ndjek Qeveria.
Kreu i opozitës përmendi edhe Marrëveshjen e Prespës, gjuhën maqedonase dhe marrëdhëniet me Bullgarinë, duke vlerësuar se pretendimet për rrezikim të identitetit dhe gjuhës po përdoren për të justifikuar ngecjen në eurointegrime.
Filipçe paralajmëroi se Maqedonia e Veriut mund ta humbasë mundësinë aktuale për përparim drejt BE-së, ndërkohë që, siç tha, Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia vazhdojnë rrugën evropiane. Ai i kërkoi Mickoskit të thotë publikisht cili është plani i tij për të ardhmen evropiane të vendit. “Çfarë do të bëjmë? A ka plan kryeministri? Kështu do të mbetemi të izoluar”, tha Filipçe, duke e akuzuar Qeverinë se me politikën e saj “ka ndërtuar mur rreth vendit”.
Sipas kryetarit të SDSM-së, pasojat e kësaj politike po ndihen tashmë përmes rënies së standardit jetësor, problemeve ekonomike dhe emigrimit të qytetarëve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.