TAJLANDË – Përmbytjet paralizojnë Bangkokun, goditet trafiku ajror ndërkombëtar
BANGKOK, 29 shtator /ATSH-DPA/- Përmbytjet e mëdha kanë paralizuar një pjesë të madhe të Bangkokut dhe kanë shkaktuar probleme edhe në transportin ajror ndërkombëtar, njoftuan sot autoritetet e kryeqytetit tajlandez.
Kompania ajrore “Thai Airways” njoftoi se do të anulojë më shumë se një duzinë fluturimesh deri të mërkurën.
Problemet prekin si fluturimet brenda Tajlandës, ashtu edhe fluturimet ndërkombëtare.
Dy aeroportet kryesore të Bangkokut, Suvarnabhumi, aeroporti kryesor ndërkombëtar, dhe Don Mueang, aeroporti më i vjetër, vazhdojnë të jenë të hapura.
Megjithatë, pasagjerët duhet të presin vonesa të konsiderueshme për shkak të përmbytjeve.
Autoriteti i Aviacionit Civil të Tajlandës (CAAT) u ka kërkuar pasagjerëve të kontrollojnë statusin e fluturimit, përpara se të nisen drejt aeroportit dhe të llogarisin shumë më tepër kohë për udhëtimin.
Probleme të mëdha janë krijuar edhe me shërbimet në tokë në aeroportin Suvarnabhumi, pasi punonjësit që merren me bagazhet dhe shërbimet e tjera aeroportuale, kanë pasur vështirësi të mëdha për të mbërritur në aeroport për shkak të përmbytjeve.
“Thai Airways”, me ndihmën e ushtarëve, ka angazhuar punonjës shtesë për ndarjen dhe shpërndarjen e bagazheve të pasagjerëve.
Bangkoku është goditur rëndë, pas disa ditësh me reshje të dendura shiu.
Sipas administratës së qytetit, përmbytjet kanë prekur rreth 329 mijë familje, ose rreth 700 mijë njerëz, në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Reshjet tani janë dobësuar. Megjithatë, në të gjithë Tajlandën, përmbytjet kanë prekur më shumë se 576 mijë familje, ose rreth 1,79 milionë njerëz, sipas autoriteteve.
Autoritetet thanë se të paktën tetë persona kanë humbur jetën nga përmbytjet që nga mesi i shtatorit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.