Filmi i ri i Tom Cruise, “Digger”, nis keq në parashikime: vetëm 20 milionë dollarë për fundjavën e hapjes, buxheti 125 milionë
Komedia e errët me regji të Alejandro González Iñárritu-t del në kinema më 2 tetor; parashikimet e dobëta mund të godasin vrullin në box office, edhe pse filmi po synon sezonin e çmimeve.
Shenja jo të mira për “Digger”, filmin e ri të Tom Cruise. Sipas gazetarit Matthew Belloni të Puck News, filmi ka debutuar në parashikimet e hershme të box office-it me një bruto prej vetëm 20 milionë dollarësh në Amerikën e Veriut — një shifër që do të përbënte një goditje të rëndë për pritshmëritë e momentit. Situata duket edhe më serioze kur merret parasysh buxheti i prodhimit: rreth 125 milionë dollarë, sipas The Numbers.
Në moshën 64-vjeçare, Cruise merr një rol larg imazhit të tij klasik të heroit të aksionit (si në “Mission: Impossible”). Ai luan miliarderin Digger Rockwell, i cili, pasi ka shkaktuar një katastrofë globale, nis një mision për t’i bindur të gjithë se është pikërisht ai që mund ta shpëtojë njerëzimin nga fundi i afërt. Është një komedi e errët, një zhanër që Cruise e ka prekur rrallë në karrierë.
Filmi është me regji të Alejandro González Iñárritu-t, fituesit të Oscar-it për “The Revenant” dhe “Birdman” — bashkëpunimi i parë mes tij dhe yllit amerikan. Krahas Cruise, në kast janë edhe Sandra Hüller, Riz Ahmed, John Goodman, Jesse Plemons, Michael Stuhlbarg, Emma D’Arcy, Burn Gorman, Mercedes Hernández, Robert John Burke, Danny Kirrane dhe Pip Torrens. Kohëzgjatja është 128 minuta.
Duke folur për zgjedhjen e Cruise në rolin kryesor, Iñárritu ka thënë: “Shpesh më pyesin pse e zgjodha Tom-in për të luajtur Digger. Për mua, kjo është si të pyesësh dikë pse pin ujë kur ke etje. Sepse është ajo që duhet.” Regjisori ka shtuar se e admironte prej vitesh si aktor, por surpriza ishte të zbulonte se “njeriu pas aktorit ishte po aq i jashtëzakonshëm sa performancat që kisha parë gjatë gjithë karrierës së tij”.
Pavarësisht parashikimeve të dobëta, jo gjithçka është e humbur. Nëse “Digger” merr kritika të mira dhe tërheq vëmendjen gjatë sezonit të çmimeve, kinematë mund ta mbajnë në program më gjatë se zakonisht. Dhe nëse filmi siguron nominime Oscar, studioja mund ta risjellë në kinema — përfshirë edhe në formatin IMAX — duke i dhënë një shtysë të re të ardhurave.
“Digger” do të dalë në kinema më 2 tetor 2026.
Burimi: ComingSoon.net



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.