Filmi i shkurtër dhe kinemaja mesdhetare në fokus të “Tirana Mediterranean Film Festival 2026”
Filmi i shkurtër dhe kinemaja mesdhetare bëhen për katër ditë qendra e një programi artistik që sjell në vëmendje histori, emocione dhe realitete të shoqërive të Mesdheut. Artistë, regjisorë dhe producentë nga vende të ndryshme do të bashkohen në një atmosferë kushtuar dialogut kulturor dhe fuqisë së artit filmik në “Tirana Mediterranean Film Festival 2026”, që nis këtë mbrëmje. Edicioni i dytë i këtij eventi ndërkombëtar sjell projeksione filmash, masterklase dhe takime artistike me emra të njohur të kinemasë. “Tirana Mediterranean Film Festival”, që vendos në qendër filmin e shkurtër dhe fuqinë e kinemasë mesdhetare zhvillohet nga data 28 deri më 31 maj 2026.
Sipas njoftimit rreth këtij festivali, ai do të zhvillohet në ambientet e Qendrës së Artit “Agimi”, ku për katër ditë publiku do të ketë mundësinë të ndjekë një program të pasur. “TMFF, edicioni II, përfshin një përzgjedhje filmash të shkurtër nga vende të ndryshme të Mesdheut, të cilët kanë marrë pjesë në disa kompeticione ndërkombëtare dhe janë vlerësuar me çmime dhe nominime të rëndësishme.
Programi përmban gjithashtu masterklasa, diskutime, takime me regjisorë, producentë dhe artistë shqiptarë e ndërkombëtarë, si dhe aktivitete rrjetëzimi që synojnë të krijojnë ura bashkëpunimi mes profesionistëve të industrisë”, thuhet rreth festivalit që nis këtë mbrëmje në Tiranë. Festivali “Tirana Mediterranean Film Festival 2026” që nis këtë mbrëmje bëhet dhe pjesë e jetës artistike dhe kulturore këtë sezon, ku në fokus të tij është kinemaja mesdhetare, por një nga momentet e veçanta të festivalit është dhe premiera e filmit më të fundit artistik me metrazh të shkurtër, “Noi”, i cili është përfshirë në disa lista ndërkombëtare të kritikëve si një nga filmat më të mirë të vitit, si dhe prania e regjisorit Neritan Zinzhiria.
Festivali dhe çmimet
Festivali i Filmit Mesdhetar në Tiranë sjell një sërë filmash, ku mbrëmJa e 31 majit sjell dhe ceremoninë e ndarjes së çmimeve. Gjatë kësaj mbrëmje do të vlerësohen krijuesit dhe veprat më të spikatura për guximin artistik, mesazhin shoqëror dhe cilësinë kinematografike. Profesionistë të njohur të kinemasë nga Franca, Italia, Greqia, Kosova, Shqipëria, Spanja dhe vende të tjera do të jenë pjesë e jurisë ndërkombëtare, me kryetar aktorin e mirënjohur Arben Bajraktaraj.
Programi artistik i festivalit zhvillohet nën kujdesin e drejtorit Artistik Thomas Logoreci, duke kontribuar në shkëmbimin e përvojave dhe në promovimin e dialogut kulturor përmes filmit. Kategoritë e çmimeve janë: Best Movie, Best Cinematographer, Best Director, Best Actor, Best New Artist. Në një sezon me aktivitete kulturore në Tiranë, festivali që shënon këtë vit edicionin e dytë i shton kryeqytetit një tjetër ngjarje ndërkombëtare, duke sjellë projeksione filmash dhe mundësi bashkëpunimi në fushën e kinemasë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.