Rajoni

“Financial Times”: Plan për izolimin indirekt të Greqisë nga Schengen

BE-ja dhe Gjermania po hartojnë një plan sipas të cilit do të forcohen kontrollet kufitare midis Greqisë dhe Ish-Republikës Jugosllave të Maqedοnisë, plan që sipas mediave greke përjashton në mënyrë indirekte Greqinë nga zona e Schengenit.

Lajmi bëhet i ditur nga “Financial Times” që komenton se në praktikë kjo do të thotë që në tokën greke do të izolohen mijëra refugjatë dhe emigrantë që vijnë çdo ditë nga Turqia drejt ishujve të Greqisë.

Sipas gazetës, ky plan është diskutuar në nivel përfaqësuesish në Bruksel pas kërkesës që ka çuar kryeministri i Sllovenisë, me anë të së cilës kërkonte që BE-ja t’i jepte ndihmë Ish-Republikës Jugosllave, ndërsa më pas, në një vizitë në Slloveni, kryeministri i Hungarisë Viktor Orban deklaroi se duhet të ngrihej një gardh në kufijtë e Maqedonisë dhe Bullgarisë me Greqinë, për të frenuar fluksin e emigrantëve në Europë dhe për të mbrojtur zonën Schengen.

“Nuk është e mjaftueshme që të ankohemi se Greqia nuk mbron kufijtë e saj, por duke vepruar ne duhet të themi se në kufirin bullgar dhe maqedonas duhet të ndërtojmë një linjë mbrojtjeje, përndryshe do të jemi në telashe të mëdha nga ajo që po ndodh sot”, tha Orban.

Mendimi për të izoluar kufirin me Greqinë komentohet nga analistët se vjen nga dështimi i planit europian, sipas të cilit Turqia, pasi të merrte 3 miliardë euro nga BE-ja, do të mund të frenonte fluksin e refugjatëve. Edhe ministri i Jashtëm austriak, në një intervistë të fundit të tij ka deklaruar se “nëse Athina nuk bën më shumë për ruajtjen e kufijve të jashtëm të BE-së, atëherë duhet të flasim hapur për një izolim të përkohshëm të Greqisë, pasi durimi i shumë europianëve ka mbaruar”.

Ndërkohë, orët e fundit Shkupi ka hapur dhe ka mbyllur disa herë kufirin me Greqinë dhe në pikën pranë fshtatit Eidomeni ndodhen tashmë të bllokuar të paktën 800 refugjatë dhe emigrantë.

Pritet që brenda së shtunës të vijnë dhe po kaq të tjerë nga Athina, pasi kanë mbërritur në Pire nga ishujt, ndërsa në zonë mbizotërojnë temperatura tepër të ulta.

Plani i ri i BE-së që thuhet se shihet me sy të mirë edhe nga kreu i Këshillit Europian Donald Tusk vjen paralelisht me paralajmërimin e ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Shcauble, se nuk ka më kohë për zgjidhjen e krizës së refugjatëve që rrezikon ekzistencën e zonës Schengen.

Siç ka deklaruar edhe nga Brukseli presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, nëse do të rifillojnë kontrollet në pikat kufitare të vendeve të BE-së, dëmet ekonomike do të jenë me miliarda euro.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button