Fituan luftën, por s’po gjejnë dot paqe(n)
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi çuan rezistencën e armatosur drejt çlirimit dhe çlirimin drejt shtetformimit. Vendimi në Hagë tregon se të fitosh luftën nuk e garanton paqen. Paqja nuk qënka dhe aq e thjeshtë për t’u garantuar. Ka nevojë për aleanca ndërkombëtare, institucione të forta, dokumentim të së kaluarës dhe sigurisht, drejtësi të besueshme. Gati tre dekada më vonë, sot, Kosova ka dalë përsëri të luftojë, por në fronte të ndryshme dhe më komplekse nga ajo e para.
Në fakt, vendimi, edhe pse mizor, i shpalli ata heronj për së dyti, duke i bërë jo vetëm çlirimtarë, por dhe garantues të lirisë së Kosovës. Ky vendim ka rrëzuar të gjitha akuzat për krime kundër njerëzimit. Prokurorët perversë dështuan të vërtetonin se UÇK-ja kishte kryer sulme sistematike kundrejt popullatës civile. Çfarë e bën atë më të rëndësishëm është fakti që e veçon ligjërisht nga dhuna e organizuar dhe sistemike e ushtruar nga Serbia. Është momenti që Kosova ta mbrojë paralelisht këtë dallim në apel.
Zemërimi i popullit është diçka e natyrshme në këtë rast, pork y zemërim nuk duhet të shkojë përtej kufijve të Kosovës, aq më tepër drejt aleatëve si Shtetet e Bashkuara, NATO apo Bashkimit Europian. Kjo do dëmtonte më tej ata katë burra dhe vetë Kosovën, e cila sot më shumë se kurrë ka nevojë për aleatët e vet.
Liria nuk AKUZOHET!
Liria nuk GJYKOHET!
Liria nuk DËNOHET!
Le të bëjmë pak aritmetikën e vendimit krahasuar me vendimet ndaj agresorit. Dënimet për Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin arrijnë gjithsej në 81 vite burg. Nga ana tjetër, pesë zyrtarë të lartë serbë e jugosllavë janë dënuar nga ICTY për krimet në Kosovë me 89 vite burgim. Pothuajse njësoj. Ndërkohë, një llogari më e gjerë na jep tjetër panoramë. Shqiptarët janë dënuar me 480 vite burg dhe serbët me 330 vite burg nga gjykata të ndryshme. Kjo i jep të drejtën të gjithë shqiptarëve të mendojnë se UÇK-ja deri tani ka mbajtur dhe po mban barrë më të madhe gjyqësore se vetë agresori ndaj të cilit luftoi.
Historia nuk NDRYSHOHET!
Historia nuk RISHKRUHET!
Historia nuk MOHOHET!
Çështja bëhet më serioze kur shqyrtohen precedentët e përfshirë në të njëjtën arkitekturë ligjore. Në rastin e Fatmir Limajt dhe Isak Musliut, ICTY pranoi faktin se të ndaluarit ishin trajtuar mizorisht, torturuar dhe më pas ishin vrarë, por hodhi poshtë pretendimin e akuzës për ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale që synonte burgosjen dhe vrasjen e serbëve bashmë me ata që u konsideruan si bashkëpunëtorë shqiptarë. Për pasojë Limaj dhe Musliu u shpallën të pafajshëm ndërsa Haradin Bala u dënua me 13 vite burgim.
Rasti i Ramush Haradinajt ndoqi një logjikë të ngjashme. Krimet në Jabllanicë u vërtetuan dhe prokurorët pretenduan të njëjtat akuza si më lart, por përfshirja e Haradinaj në ato krime mbari e pavërtetuar. Haradinaj dhe Idriz Balaj u liruan nga akuzat, ndërsa dhomat e specializuara dhanë 6 vjet për Lahi Brahimaj, 15 vjet për Sali Mustafën dhe 13 vjet për Pjetër Shalën, pasi gjykata për këtë të fundit shprehu se dënimi fillestar për prej 18 vitesh ishte jashtë proporcionit të arsyeshëm me raste të krahasueshme.
Pra, për të njëjtat raste precedenti ligjor ekziston dhe qënka përdorur. Sepse një gjykatë serioze, merr gjithmonë parasysh edhe precedentët. Gjykata dhe trupi gjykues duhet t’u japë shpjegim shqiptarëve se pse kur i njëjti konflikt dhe të njëjtat kategori viktimash po prodhojnë vendime rrënjësisht të ndryshme.
Pse precedentët që përfshijnë të njëjtat akuza u lanë jashtë arsyetimit të gjyqtarëve? Mos ndoshta kjo gjykatë i konsideron të padrejta ato vendime?
Kosova bashkë me Shqipërinë duhet ta hetojë këtë çështje me qetësi dhe me këmbëngulje ligjore.
Të nesërmen e vendimit, drita e diellit nxorri zbuluar dobësinë institucionale e Kosovës. Edhe pse pati reagime individuale nga kryeministri, Kryetari i Kuvendit dhe partitë politike shqiptare, Parlamenti nuk u thirr në seancë të jashtëzakonshme, të paktën për të formuluar dhe miratuar një qëndrim të përbashkët që dënon vendimin. Të kundërtën bëri Parlamenti i Shqipërisë, i cili miratoi unanimisht një deklaratë të përbashkët duke e dënuar vendimin si thellësisht të padrejtë.
Në Kosovë, heshtje. Sa turp!
Këta politikanë u zgjodhën nga populli për të përfaqësuar zërin e tyre. Ata mbetën të papërfaqësuar për të paktën 48 orë nga ata që duhet të ishin në frontin e mbrojtjes së Kosovës. Populli kërkon reagim, njëzëri. Kështu që, të lënë mënjanë inatet përsonale dhe të bëjnë një deklaratë të përbashkët për ta shpërndarë në të gjitha kancelaritë dhe misionet diplomatike perëndimore. Të paktën si fillim, sepse kjo do ta vendoste qëndrimin e Kosovës në regjistrin ndërkombëtar dhe do t’u jepte përfaqësuesve diplomatikë një dokument zyrtar të qartë për qëndrimin dhe organizimin e tyre.
Lufta solli lirinë. Sot, paqja kërkon që Kosova të mbrojë atë liri me autoritetin e ligjit.
Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.