Fituesja e çmimit “Nobel” për Paqen, Pillay: Të drejtat e njeriut janë nën kërcënim
NUREMBERG, 9 tetor /ATSH-DPA/- Fituesja e çmimit “Nobel” për Paqen, Navanethem “Navy” Pillay ia kushtoi çmimin të gjithë të mbijetuarve të krimeve të rënda ndërkombëtare dhe personave që mbrojnë drejtësinë ndërkombëtare.
Ajo deklaroi se dhembshuria dhe guximi i tyre kanë ndihmuar që autorët e këtyre krimeve të mos mbeten pa u ndëshkuar.
Pillay ndodhej në sallën e gjyqit 600, në Pallatin e Drejtësisë në Nuremberg, kur mori lajmin se ishte vlerësuar me çmimin “Nobel” për Paqen.
Kjo është salla ku, pas Luftës së Dytë Botërore, aleatët gjykuan kriminelët nazistë, mes tyre edhe Hermann Göring. Këto gjyqe shënuan një hap themelor në krijimin e sistemit të sotëm të drejtësisë ndërkombëtare.
“Po jetojmë në një periudhë kur e drejta ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut, po përballen me sulme të forta politike”, deklaroi sot juristja nga Afrika e Jugut, gjatë Forumit të Nurembergut 2026, një konferencë ndërkombëtare kushtuar ligjeve që përcaktojnë ndëshkimin e krimeve të rënda ndërkombëtare.
Pillay e cilësoi çmimin “Nobel” për Paqen si krejtësisht të papritur dhe një surprizë të mrekullueshme.
Komiteti Norvegjez i Nobelit e vlerësoi Pillay për punën e saj në mbrojtje të paqes dhe të së drejtës ndërkombëtare.
“Gjatë jetës sime kam marrë shumë vlerësime, por ky ishte nderimi më i lartë dhe më i rëndësishëm që kam marrë ndonjëherë”, tha ajo.
Pillay theksoi se çmimi vjen në një kohë kur e drejta ndërkombëtare po përballet me presion gjithnjë e më të madh.
“Kjo situatë që po përkeqësohet shihet veçanërisht, te sulmet ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare”, deklaroi fituesja e “Nobel”-it, e cila vetë ka shërbyer si gjyqtare në këtë gjykatë, me seli në Hagë, nga viti 2003 deri në vitin 2008. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.