Te ndryshme

Jing-Jin-Ji, supermetropoli me 130 milionë banorë që pritet të lindë në Kinë

Thuhet se do ketë një sipërfaqe më të madhe se landi gjerman i Bavarisë, e që pritet të ketë gjashtëfishin e popullsisë së Nju Jorkut: Pekini do të shkrihet me dy rajonet që e rrethojnë duke u shndërruar në qendrën më të madhe urbane në botë. Emri i megaprojektit është gjithashtu një shkrirje që do trashëgojë emrat e tri pjesëve përbërëse të tij

Stacioni i metrosë Haojiafu, thuajse një orë udhëtim nga Pekini, është i pastër si pasqyrë. Rrallë ndonjë udhëtar vërtitet nëpër vendkalimet gri të veshura me pllaka, pasi ato nuk gjenden askund: në fushat rreth e rrotull fshatarët korrin grurin e mes tyre barinjtë lëshojnë tufat e tyre të dhenve për të kullotur.

Vetëm autostrada me gjashtë korsi që e thyen në mes këtë pamje idilike, të sjell ndërmend të ardhmen që i parashkruhet tashmë Haojiafu-së: Brenda pak viteve, këtu do të rrahë “zemra” e Kinës.

Pjesë të mëdha të administratës dhe të institucioneve të qeverisë kineze do të zhduken së shpejti nga qendra e Pekinit dhe do të zhvendosen drejt lokaliteteve të tilla si Haojiafu.

Ministritë, universitetet, spitalet dhe ndoshta madje edhe vetë Komiteti Qendror i Partisë Komuniste kineze, do të ngulen në lëndinën e gjelbër madhështore.

“Zhvendosja do të nisë, maksimumi në vitin 2017”, tha Guo Jinlong, anëtar i Byrosë Politike të PK kineze në Pekin, para ca ditëve.

Zhvendosja e institucioneve nga pjesa e brendshme e Pekinit është pjesë e projektit më të madh urban që Kina pas një faze përgatitore prej dekadash, e ka vënë si synim primar.

Falë tij, kryeqyteti i Republikës Popullore dhe rajonet rreth tij, ndodhen tashmë para shndërrimeve gjigante.

Nga Pekini, qyteti port i Tianjin-it dhe provinca Hebei, do të lindë një megaqytet me një sipërfaqe prej më shumë se 200.000 km katrorë.

Deri në 130 milionë banorë pritet të ketë kolosi pas përfundimit të tij, duke shënuar kësisoj me distancë qendrën më të madhe urbane në botë. Për sa i përket emrit, autorët e projektit kanë vendosur ta quajnë atë Jing-Jin-Ji: një shkrirje e sajuar nga emrat Beijing (d.m.th Pekin), Tianjin dhe emrit historik të provincës Hebei, “Ji”.

Zhvendosja do të zgjidhë edhe problemin e ndotjes së ambientit 

Kolosi i ri, në të cilin Pekini që sot strehon rreth 22 milionë banorë, do të jetë vetëm një lloj lagjeje e brendshme, do të ketë në këtë mënyrë dyfishin e sipërfaqes së landit gjerman të Bavarisë. Plani gjigandesk shënon një kthesë në politikën ndërtimore të Kinës: deri më tani, synimi i qeverisë qendrore kineze ishte t’i gruponte institucionet e veta në qendrën historike të Pekinit perandorak dhe kësisoj të festonte fitoren historike të klasës punëtore.

Mirëpo në maj të këtij vit, Presidenti Xi Jinping pohoi shkuljen nga Pekini dhe tha se ndërtimi i superqytetit ishte një pjesë e axhendës së reformave, me të cilat Kina do të forcohej e do bëhej e aftë për konkurrencë gjatë dekadave të ardhshme.

Jing-Jin-Ji kësisoj do të shndërrohet në rajonin konkurrent kinezoverior të zonave ekonomike që tashmë ekzistojnë prej kohësh në deltën e lumit Jangtse rreth Shangait dhe asaj në Nanjing-ut në Kinën Qendrore.

Pikënisja e vendimmarrjes janë objektivat politikë dhe ato ekonomikë: në të cilat institucionet dhe deri në 1200 ndërmarrje industriale në Pekin do të zhvendosen në fshat, ku do të sjellin me vete edhe shumë vende pune.

Edhe spitalet, shkollat dhe universitetet do të shkulen drejt këtij destinacioni të ri. Kështu, distanca në zhvillim shpesh ekstreme mes qytetit dhe fshatit, që mund të shkaktojë edhe trazira sociale, do të shkurtohet në maksimum falë këtij plani.

Një vend, në të cilin vendet e punës do të jenë më afër vendbanimeve, mund të zgjidhej edhe një problem që të harxhon mjaft kohë dhe nerva: aktualisht shumë punonjës në Pekin udhëtojnë deri në pesë orë çdo ditë për të arritur në vendet e tyre të punës. Në të njëjtën kohë, ndotja e ambientit dhe mbipopullimi që kanë sjellë plagë për metropolet e mëdha, do të mund të merrnin kësisoj më shumë frymë.

Plani konkret, akoma sekret

Secila nga tri nënqendrat e megaqytetit do të ketë e zhvillojë një karakter të vetin: Me Pekinin në mes si qendër intelektuale, djepi i kulturës dhe zhvillimit teknologjik. Tianjin do të posedojë nga ana tjetër, qendrat më të mëdha të prodhimit dhe me portin e tij, do të garantojë lidhjen me rrugët detare ndërkombëtare.

Kurse Hebei do të shërbejë para së gjithash si një vend ideal për banesa, ndërmarrje e sipërmarrje dhe zhvilluar agrobiznesin. Me trenat e shpejtësisë së lartë, nënqendrat do të mund të arriheshin brenda një ore.

Që megaqyteti, me gjithë rritjen e reduktuar tashmë të Kinës do të lulëzojë, ekspertët e mbajnë për shumë të mundshme. Sipërmarrjet e rajonit Jing-Jin-Ji prodhojnë së pari për tregun e brendshëm kinez dhe do t’u bënin kështu ballë më së miri krizave ekonomike ndërkombëtare, shkruante ekonomisti Hong Yu në një studim të sapopublikuar rreth zhvillimit të rajoneve të ndryshme të Kinës.

Në Tianjin ka sigurisht disa ndërmarrje, që bazohen tek eksporti, por ato janë të specializuara më së shumti në produktet high-tech dhe i përkasin një sektori të së ardhmes.

Se si do të realizohet ekzaktësisht integrimi i rajoneve të ndryshme, kjo mbetet ende e paqartë. Edhe plani kohor konkret për ristrukturimin e rajonit të kryeqytetit, deri më tani është sekret. Mediat lokale kineze spekulonin gjatë kësaj jave se qeveria qendrore, do ta informojë popullin më 1 tetor, Ditën Kombëtare të Kinës, rreth detajeve të planeve të saj.

Nëse ndodh kështu, kjo do të sillte ethe të papara për biznes imobiliar në të tria rajonet e prekura nga superprojekti: vetëm thashethemi se një vend mund të shndërrohej në një qendër të re për stacionimin e sipërmarrjeve, i ka çuar së fundmi çmimet për banesat dhe qiratë në zonat rurale rreth Pekinit, në lartësi të papara ndonjëherë.

“Në Lucheng, në provincën Tongzhou, çmimet për metër katrorë janë ngritur në periudhën maj-qershor deri në 730 euro për metër katrorë”, bënte të ditur së fundmi gazeta “China Daily” – dhe kjo, para se të lajmërohej se një pjesë e administratës që ndodhet në Pekin, të zhvendoset drejt destinacionit të ri.

Përgatiti: Armand Plaka

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button