FOKUS – Arrestimi i ish-shefit të spiunazhit gjerman alarmon agjencitë amerikane dhe britanike
BERLIN, 7 tetor /ATSH-AA/ – Arrestimi i ish-shefit të spiunazhit gjerman ka zbuluar një rrjedhje të mundshme të dokumenteve të klasifikuara drejt shërbimeve të huaja të inteligjencës, duke alarmuar agjencitë amerikane dhe britanike.
Siç raporton gazeta “Die Welt”, August Hanning, i cili drejtoi Shërbimin Federal të Inteligjencës (BND) nga viti 1998 deri në vitin 2005, u arrestua dje nën dyshimin për spiunazh dhe tradhti.
Prokurorët thonë se ai mori informacione të klasifikuara nga një ish-koleg për disa vite dhe i përdori ato në raporte dhe shkëmbime me kontakte të huaja të inteligjencës. Burime nga qarqet gjermane të sigurisë i thanë gazetës “Die Welt” se disa nga informacionet e klasifikuara që kishin trajtuar dy burrat kishin ardhur nga shërbime të huaja partnere.
“Kjo do të thotë se informacionet e inteligjencës britanike dhe amerikane gjithashtu mund të jenë komprometuar”, raportoi gazeta.
Ish-drejtori i zyrës së Hanningut, i identifikuar si Manfred D., u arrestua po atë ditë. Prokurorët federalë thonë se ai i kishte dorëzuar Hanningut rreth 2.000 dokumente midis viteve 2010 dhe 2022, shumë prej të cilave ishin të klasifikuara për përdorim të brendshëm nga BND-ja, në këmbim të pagesës.
Gazeta gjermane raportoi se shërbimet amerikane, së bashku me MI6-tën e Britanisë dhe agjencinë e saj të sinjaleve GCHQ, po verifikojnë nëse informacionet e ndara me aleatët evropianë, madje edhe burimet e tyre, mund të jenë vënë në rrezik nga rrjedhja e dyshuar.
Raportohet se autoritetet gjermane i kishin paralajmëruar partnerët për komprometimin e mundshëm përpara arrestimeve.
– Gjyqtari urdhëron paraburgimin
Një zëdhënëse e Prokurorisë Federale tha se një gjyqtar hetues në Gjykatën Federale të Drejtësisë në Karlsruhe sot urdhëroi që Hanning të mbahet në paraburgim, duke vënë në fuqi urdhërarrestin ndaj 80-vjeçarit.
Autoritetet thonë se kanë vërtetuar se Hanning e kishte përdorur informacionin konfidencial të paktën një herë për të përgatitur një raport sigurie në kuadër të punës së tij si konsulent dhe se kishte pasur gjithashtu kontakte me një zyrtar të huaj të inteligjencës. Ata nuk kanë bërë të ditur emrin e asnjë vendi.
Transmetuesit publik WDR dhe NDR, së bashku me të përditshmen “Suddeutsche Zeitung”, raportuan se shërbimi që kishte kontakte me Hanningun nuk ishte rus, megjithëse dokumentet që ai dyshohet se kishte marrë përfshinin materiale mbi ushtrinë ruse dhe çështje të tjera të klasifikuara, përfshirë programin bërthamor të Iranit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.