FOKUS – BE kërkon lëvizshmëri më të shpejtë ushtarake përballë rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes të Rusisë
BRUKSEL, 8 tetor /ATSH -AA/- Komisari Evropian për Mbrojtjen dhe Hapësirën, Andrius Kubilius, u bëri thirrje vendeve evropiane të përshpejtojnë lëvizshmërinë ushtarake, duke paralajmëruar se rritja e shpenzimeve dhe prodhimit të mbrojtjes nga Rusia tregon se Moska ende “nuk po frenohet”.
Duke folur në Konferencën “Shengeni Ushtarak 2026” në Hamburg të Gjermanisë, Kubilius tha se Rusia pritet të ndajë 180 miliardë euro për buxhetin e saj ushtarak për vitin 2027, rreth 3 për qind më shumë se fondet e ndara këtë vit.
“Në terma të barazisë së fuqisë blerëse, vitin e ardhshëm Rusia do të shpenzojë të njëjtën shumë, ose edhe pak më shumë, se të gjitha shtetet anëtare të BE-së”, tha ai.
Kubilius tha se Rusia po e tejkalon gjithashtu Evropën në prodhimin industrial të mbrojtjes dhe po zhvillon me shpejtësi teknologji të reja ushtarake, përfshirë dronët.
“Nëse do të vinte dita X sa i përket një agresioni të mundshëm rus, duhet të kuptojmë se do të përballemi me një ushtri ruse të sprovuar në betejë, me aftësi për të përdorur 10 milionë dronë në vit”, tha ai.
Ai tha se kjo do të nënkuptonte rreth 30 mijë dronë në ditë, duke shtuar se Rusia po përgatitet për “një luftë dhe përballje të zgjatur”.
“Gatishmëria jonë mbrojtëse duhet të përshpejtohet”, tha Kubilius.
Ai theksoi se aftësia e Evropës për të frenuar agresionin nuk varet vetëm nga shpenzimet për mbrojtjen dhe prokurimin ushtarak, por edhe nga aftësia për të lëvizur me shpejtësi trupat dhe pajisjet në të gjithë kontinentin.
Kubilius tha se lëvizshmëria ushtarake duhet të trajtohet si një kërkesë urgjente operacionale dhe jo si një çështje teorike.
Ai bëri thirrje për një paketë ambicioze të BE-së për lëvizshmërinë ushtarake, e cila, sipas tij, duhet të funksionojë në mënyrë efektive si një “Shengen Ushtarak”.
Kubilius tha se BE-ja duhet të zëvendësojë mozaikun aktual të 27 sistemeve kombëtare me një rregullore të vetme evropiane për transportin ushtarak.
Sipas sistemit të propozuar, një leje e vetme evropiane do të ishte e vlefshme në gjithë BE-në dhe do të lëshohej brenda një afati maksimal prej tri ditësh, tha ai.
Për raste emergjente, Kubilius tha se BE-ja po propozon një Sistem të ri Evropian të Reagimit të Përforcuar për Lëvizshmërinë Ushtarake, i cili mund të aktivizohet nga Këshilli i BE-së.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.