FOKUS – BM në bisedime krize me Brukselin për rezervat e karburanteve
LONDËR, 2 tetor /ATSH-DPA/ – Britania e Madhe i është bashkuar bisedimeve emergjente me Brukselin për rezervat strategjike të naftës dhe naftës diezel, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se mund t’u kërkojë vendeve evropiane të përdorin rezervat e tyre për të frenuar rritjen e çmimeve.
Ministri britanik i Energjisë, Martin McCluskey, mori pjesë dje në një telefonatë me përfaqësues të Irlandës, Komisionit Evropian, Francës dhe Italisë.
Diskutimi u përqendrua te mundësia e çlirimit të rezervave të karburanteve në rast se nevoja bëhet më urgjente, ndërsa çmimet po rriten me shpejtësi.
Presidenti Trump tha dje se mund t’u kërkojë vendeve evropiane të nxjerrin në treg rezervat e tyre të karburanteve.
Presidenti amerikan ndodhet gjithashtu nën presion të shtuar në SHBA për të ulur çmimet përpara zgjedhjeve afatmesme të nëntorit, të cilat do të përcaktojnë kontrollin e Kongresit.
Prsidenti amerikan ka thënë më herët se po shqyrton edhe ndalimin e eksporteve amerikane të naftës diezel.
Ai pranoi se një masë e tillë mund të shkaktonte rritje të kostove për produkte të tjera.
Për Britaninë e Madhe, një ndalim i eksporteve amerikane do të krijonte probleme të mëtejshme, pasi vendi importon rreth 55% të diezelit që konsumon dhe rreth 31% e këtyre importeve vijnë nga SHBA-ja.
Çmimi i diezelit në Britaninë e Madhe arrin rekord
Çmimet e dizelit janë rritur ndjeshëm muajt e fundit për shkak të ndërprerjeve të furnizimit global, të lidhura sipas raportit me luftën SHBA-Izrael kundër Iranit dhe konfliktin në vazhdim mes Rusisë dhe Ukrainës.
Sipas të dhënave të RAC, çmimi mesatar i një litri diezel në Britaninë e Madhe dje ishte 199,79 peni, ose rreth 2.64 dollarë për litër.
Ky nivel ka kaluar rekordin e mëparshëm prej 199,09 pens për litër, të regjistruar në qershor 2022 pas pushtimit rus të Ukrainës.
Sa rezerva ka BM?
Si anëtare e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), BM është e detyruar të mbajë rezerva nafte të barabarta me të paktën 90 ditë importe neto të naftës.
Këto rezerva mund të përdoren në rast të ndërprerjeve serioze të furnizimit në tregun global.
Qeveria britanike tha se vendi ka një furnizim të larmishëm dhe rezistent me karburante dhe se vazhdon të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë dhe industrinë britanike të karburanteve./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.