FOKUS – Bursat evropiane në rënie pas tensioneve në LM dhe trazirat sociale në Francë
FRANKFURT, 20 tetor /ATSH-DPA/ – Bursat kryesore evropiane u mbyllën sot në rënie, mes shqetësimeve për trazirat sociale në Francë dhe Itali, tensionet në Lindjen e Mesme dhe çmimet e larta të naftës.
Në tregje ndikuan gjithashtu frika për vlerësimet e larta të aksioneve të lidhura me inteligjencën artificiale dhe përshpejtimi i inflacionit të çmimeve të prodhimit në Gjermani.
Indeksi pan-europian “Stoxx” 600 ra me 0,14%, ndërsa FTSE 100 i Londrës humbi 0,29%.
“DAX”-i gjerman u tkurr me 0,06%, kurse “CAC 40” i Parisit shënoi rënie prej 0,38%.
Në të kundërt, indeksi zviceran SMI u rrit me 0,76%.
Tregjet e tjera evropiane shfaqën ecuri të përzier, me disa indekse që u mbyllën në rritje.
Çmimet e naftës shënuan luhatje të forta gjatë ditës.
Nafta “Brent” arriti deri në 111,99 dollarë për fuçi, përpara se të zbriste në 105,95 dollarë dhe të rikuperohej më pas në rreth 107 dollarë.
Rënia e çmimeve të naftës dhe ulja e lehtë e rendimenteve të obligacioneve ndihmuan në rikuperimin e pjesshëm të bursave gjatë pasdites, por nuk mjaftuan për të ndryshuar rezultatin përfundimtar të shumicës së indekseve.
Në tregun gjerman, aksionet e Qiagen u rritën me afro 4%, ndërsa E.ON fitoi rreth 2,9%.
Fitime regjistruan edhe “Mercedes-Benz”, “Allianz” dhe “BMW”.
Në Francë, “Sanofi” u rrit me 3,7%, ndërsa “Accor” fitoi afro 3%.
Në të kundërt, aksionet e “Schneider Electric” ranë me 3,3%, ndërsa “Legrand” humbi 3%. Në Londër, aksionet e “Bunzl” ranë me afro 3%, pavarësisht rritjes së të ardhurave tremujore dhe konfirmimit të parashikimit vjetor.
Shqetësimet ekonomike u shtuan nga të dhënat mbi inflacionin në Gjermani.
Sipas zyrës federale të statistikave “Destatis”, çmimet e prodhimit u rritën me 6,7% në shtator krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, nga 4,6% në gusht.
Ky ishte ritmi më i shpejtë i rritjes që nga marsi 2023.
Në bazë mujore, çmimet u rritën me 1,9%, duke tejkaluar parashikimet e tregut prej 0,8%.
Ndërkohë, suficiti i llogarisë korrente të eurozonës ra në 7,7 miliardë euro në gusht, nga 18,1 miliardë euro një vit më parë, sipas Bankës Qendrore Europiane.
Në Britaninë e Madhe, norma e papunësisë zbriti në 4,7% për periudhën qershor-gusht, nga 4,9% më parë.
Megjithatë, rritja vjetore e pagave mesatare, përfshirë bonuset, u ngadalësua në 3,7%, duke reflektuar një ecuri të përzier të ekonomisë britanike./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.