Ndodh në Itali! Themelohet “Lëvizja 17 Tetori” nga protestat, organizatë politike pa kryetar, pa seli dhe pa anëtarësi formale
Lëvizja e të rinjve në Itali që doli në rrugë më 17 tetor po merr formë edhe jashtë protestave. E quajtur “Lëvizja 17 Tetori” (M1710), ajo ka publikuar manifestin e saj të parë, ku përcakton filozofinë e organizimit, kritikat ndaj institucioneve dhe synimin për të krijuar një hapësirë të re të mobilizimit politik.
Lëvizja, e cila ka nisur së fundmi aktivitetin në rrjetet sociale, pretendon se ka luajtur rol në protestat që nxorën mijëra të rinj në rrugë më 17 tetor dhe në ditët pasuese. Ajo synon të bashkojë të rinjtë dhe të nxisë përfshirjen e tyre politike, duke refuzuar modelet tradicionale të organizimit.
Pa kryetar, pa seli dhe pa anëtarësi formale, M1710 e konsideron mungesën e një strukture hierarkike si një zgjedhje të vetëdijshme politike. Sipas saj, lëvizja nuk duhet të kontrollohet nga një individ apo grup i caktuar. Edhe emri lidhet me këtë ide, 17 tetori është një datë që u përket të gjithëve dhe që, sipas manifestit, nuk mund të përvetësohet nga askush.
Në dokumentin e publikuar, të rinjtë shprehin mosbesim ndaj qeverisë dhe institucioneve, të cilat i akuzojnë se kufizojnë të drejtën për protestë dhe u përgjigjen pakënaqësive me masa ndëshkuese. Kritika ka edhe ndaj partive politike dhe sindikatave tradicionale, të cilat lëvizja i sheh si pjesë të një sistemi që kërkon të ndryshojë.
Rezerva shprehen edhe ndaj organizatave që veprojnë jashtë institucioneve. Sipas M1710, ato duhet të dëshmojnë se mbështesin realisht protestat dhe nuk synojnë të marrin nën kontroll një mobilizim që pretendon të jetë i pavarur.
Një tjetër çështje e ngritur në manifest është ajo që lëvizja e cilëson si rritje të represionit ndaj protestuesve. Ajo përmend identifikimin e aktivistëve, procedimet ligjore, urdhrat për largim nga zona të caktuara dhe infiltrimin. Po ashtu, ngre akuza për tolerimin ose mbulimin e sulmeve nga grupe fashiste.
Në këtë kontekst, M1710 argumenton se mungesa e një drejtuesi të vetëm, e një selie dhe e një liste anëtarësie e bën më të vështirë goditjen e organizimit.
Modeli i M1710 nuk mbështetet vetëm te përvoja italiane. Në manifest përmenden lëvizje protestuese në Egjipt, Tunizi, Hong Kong, Sudan, Algjeri, Liban dhe Kili, si dhe lëvizjet Indignados dhe Occupy.
Referenca bëhen edhe te protestat e studentëve serbë dhe mobilizimi i të rinjve të brezit Gen Z në Marok. Sipas lëvizjes, këto përvoja dëshmojnë se organizimi pa një udhëheqës të vetëm mund të shërbejë si mënyrë për të sfiduar pushtetin, edhe pse shumë prej këtyre lëvizjeve janë përballur me kufizime dhe shtypje.
Për M1710, protesta nuk duhet të mbetet vetëm një tubim në rrugë. Ajo duhet të shërbejë edhe si hapësirë për diskutim, debat dhe formim politik të të rinjve. Synimi është krijimi i një ndërgjegjeje të përbashkët dhe nxitja e pjesëmarrjes, pa kërkuar që të gjithë të kenë të njëjtat bindje.
Në këtë strategji, një rol të rëndësishëm kanë rrjetet sociale. Telegram, TikTok dhe Instagram përdoren për komunikim, mobilizim dhe organizimin e takimeve e protestave.
Përplasja për rrjetet sociale dhe protestat
Publikimi i manifestit vjen në një moment kur në Itali po diskutohet edhe ndikimi i platformave digjitale në mobilizimin e protestave.
Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, ka paralajmëruar për përdorimin e rrjeteve sociale si mjete të një lufte hibride, të cilat, sipas tij, mund të nxisin kaos dhe të destabilizojnë qeveritë perëndimore.
Nga ana tjetër, M1710 e paraqet organizimin e saj si një përpjekje të të rinjve për të marrë në duart e tyre të ardhmen dhe për të mos ua lënë atë në dorë atyre që i cilëson si kleptokratë.
Lëvizja nuk synon të integrohet në strukturat ekzistuese politike, por të ndërtojë një formë të re organizimi nga poshtë, pa hierarki dhe pa një autoritet të vetëm që përcakton drejtimin e saj.
Mesazhi përmbyllës i manifestit përmbledh filozofinë mbi të cilën mbështetet kjo lëvizje: “17 tetori: një lëvizje, asnjë zot”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.