FOKUS – Forcat ukrainase godasin dy rafineri nafte në Rusi, Kievi pretendon dëme në impiantet e “Rosneft”
KIEV, 25 nëntor /ATSH-Ukrinform/ – Forcat ukrainase kanë goditur me dronë, dy rafineri nafte në rajonin e Samaras, në Rusi, gjatë natës mes 24 dhe 25 nëntorit, duke shkaktuar zjarre dhe dëme në disa impiante, sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Objektivat e sulmit ishin rafineria “Kuibyshev”, në qytetin e Samaras, dhe rafineria “Syzran”, në qytetin me të njëjtin emër.
Të dyja impiantet janë pjesë e kompanisë ruse të naftës “Rosneft”.
Sipas autoriteteve ukrainase, në rafinerinë “Kuibyshev” u goditën dy njësi të përpunimit fillestar të naftës, një njësi përpunimi katalitik dhe dy depozita nafte, ndërsa në impiantin “Syzran” u raportuan dëme në disa njësi përpunimi dhe trajtimi të karburanteve, si dhe në dy depozita.
Sulmi ndaj rafinerisë “Syzran” u krye nga Forcat e Operacioneve Speciale të Ukrainës, në bashkëpunim me një lëvizje rezistence që vepron në territorin rus, ndërsa në goditjen e rafinerisë “Kuibyshev” morën pjesë edhe Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës dhe Forcat e Sistemeve Pa Pilot.
Sipas të dhënave ukrainase, rafineria “Kuibyshev” ka kapacitet përpunimi rreth 7 milionë tonë naftë bruto në vit, ndërsa “Syzran” rreth 8,5 milionë tonë.
Autoritetet ruse konfirmuan sulme masive me dronë në rajonin Samaras, por nuk i identifikuan zyrtarisht rafineritë si objektiva.
Guvernatori rajonal, Vyacheslav Fedorishchev, deklaroi se mbrojtja ajrore kishte rrëzuar më shumë se 145 dronë, gjatë natës dhe njoftoi për një viktimë dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.